Arbëri

Komuna e Podujevës: PDK po bën fushatë shpifëse

Komuna e Podujevës ka reaguar me anë të një komunikate ndaj një deklarate të PDK-së në të cilën kishte thënë se qentë endacakë po rrezikojnë fëmijët nëpër shkollat e Podujevës.

PDK, sipas reagimit të komunës, ka ndezur motorët e fushatës dhe propagandës politike ndaj Komunës së Podujevës, pa zgjedhur formë as mjete.

“Në propagandën dhe fushatën e saj ndaj kryetarit të Komunës dhe administratës komunale, PDK shkon aq larg sa edhe mësimdhënësit e shkollave të kësaj komune i krahason me qentë endacakë.

Shkas për kumtesat e përditshme të PDK-së është bërë çdo aktivitet dhe angazhim i kryetarit të Komunës, të cilat po e pengojnë PDK-në”, thuhet në reagimin e komunës së Podujevës.

Sipas reagimit nga komuna, PDK merr si shkas vizitën e kryetarit Veliu në një shkollë ku është duke u realizuar projekti kontrollit sistematik të nxënësve me qëllim të parandalimit të sëmundjeve të ndryshme dhe edukimin shëndetësor.

Sipas komunës është e pavërtetë se në shkollat e komunës së Podujevës punojnë mësimdhënës të pakualifikuar dhe këtë e dëshmojnë edhe raportet e rregullta të Inspeksionit të MASHT-it.