Arbëri

Gjashtë zyrtarë komunalë në Gjakovë me aktakuza

Descriptive Text

Opozita në qytetin e Gjakovës ka kërkuar shkarkimin e dy drejtorëve të Komunës për të cilët janë ngritur aktakuza. Pos dy drejtorëve, aktakuza u janë ngritur edhe 4 zyrtarëve të tjerë komunalë. Drejtori i Urbanizmit ka thënë se ai ka ofruar dorëheqjen, por që nuk është pranuar nga kryetari Gjini. E drejtori i Kadastrës, që iu ngrit aktakuzë në fillim të shkurtit, nuk është përgjigjur se a do të ofrojë dorëheqje

Në më pak se dy muaj janë ngritur dy aktakuza për zyrtarë të lartë të Komunës së Gjakovës për keqpërdorime me prona.

Me aktakuzë janë drejtori i Urbanizmit. Arben Bakalli. dhe Drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Gjevalin Nikollbibaj.

Bakalli bashkë me dy zyrtarë të tjerë akuzohen për shkelje të Ligjit për Ndërtime.

Prokuroria pretendon se kanë lëshuar leje ndërtimi jashtëligjshëm, duke i tejkaluar kompetencat.

Drejtori Bakalli në një përgjigje për KOHËN ka thënë se i ka respektuar ligjin dhe procedurat e parapara për çështjen për të cilën akuzohet dhe ka ofruar dorëheqje sapo i është ngritur aktakuza.

“Menjëherë pas ngritjes së aktakuzës kam njoftuar kryetarin e Komunës për këtë çështje, po ashtu kam kërkuar që të më lirojë nga detyra e drejtorit deri në vendimin përfundimtar, përkundër faktit që e ndjej veten të pafajshëm në këtë çështje. Kryetari i Komunës së Gjakovës duke u bazuar në parimin e Prezumimit të pafajësisë në procedurë gjyqësore, si dhe besimin e plotë, ka vendosur që të refuzojë dorëheqjen time deri në vendimin final gjyqësor”, ka thënë Bakalli.

Ndaj Bakallit aktakuza është ngritur në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.

Ai ka qenë i dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga shkalla e parë për të njëjtën vepër, por për një rast tjetër. Mirëpo Gjykata e Apelit lëndën e ka kthyer në rigjykim.

E në fillim të këtij muaji, aktakuzë i është ngritur drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Gjevalin Nikollbibaj.

Ai dyshohet se me bashkëpunëtorë, zyrtarë të Komunës, jashtëligjshëm ia kanë bartur një qytetari pronën publike me të cilën administron Agjencia e Privatizimit pa pëlqimin dhe njoftimin e AKP-së.

KOHA ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Nikollbibaj, por ai nuk u është përgjigjur pyetjeve tash e 5 ditë.

Pyetjeve se a do të ketë shkarkime për zyrtarët me aktakuzë nuk u janë përgjigjur as nga zyra e kryetarit.

Përpos drejtorëve, të akuzuar janë edhe 4 zyrtarë të tjerë komunalë.

Në opozitë akuzojnë pushtetin se nuk po ndan informacione dhe se për këto aktakuza nuk po marrin asnjë përgjigje nga zyrtarët komunalë.

“Në fakt, edhe kryetari në të kaluarën dhe në fushatë ka thënë që nëse një drejtori i ngrihet padi, do ta shkarkojë menjëherë. Mirëpo realiteti flet ndryshe. Edhe përkundër se në të kaluarën ia kanë dënuar drejtorin, ka vazhduar ta mbajë të emëruar. Për ne dhe për secilin qytetar mendojmë automatikisht duhet shkarkuar secili drejtor që e keqpërdor pozitën apo autoritetin e tij zyrtar”, ka thënë Mimoza Shala, shefe e Grupit të asamblistëve të VV-së në Gjakovë.

Ndaj Bakallit ka filluar procesi gjyqësor. Në seancën e shqyrtimit fillestar ai është deklaruar i pafajshëm.