Arbëri

Në Ferizaj falen prindërit që s’i çojnë fëmijët në shkollë

Descriptive Text

Institucionet në Komunën e Ferizajt nuk kanë iniciuar masa ndëshkuese ndaj prindërve të nxënësve të komunitetit ashkali, që sivjet kanë braktisur mësimin në shkollat e kësaj komune, pavarësisht se mësimi deri në klasën e nëntë është i obligueshëm. Në Komunë e kanë arsyetuar mosinicimin e procedurave me faktin se “kanë qenë nxënës të komunitetit ashkali”.

KOHA, javë më parë ka raportuar se si pasojë e kushteve të rënda, nxënësit e këtij komuniteti në Ferizaj po braktisin shkollat.

Visar Islami, kryetar i Këshillit të Prindërve për Regjionin e Ferizajt, ka thënë se secila shkollë e ka për obligim të iniciojë procedurë për prindërit që nuk i sjellin fëmijët e tyre në shkollë deri në klasën e nëntë. Ai ka shtuar se në këtë sferë duhet të ketë koordinim të mirë secila shkollë me Drejtorinë e Arsimit.

“Ferizaj gjatë këtij viti është përballur me braktisjen e mësimit nga dhjetëra nxënësve të komunitetit ashkali, por institucionet shkollore dhe ato komunale duhet të angazhohen dhe të koordinohen më shumë me qëllim që të ndëshkohen prindërit sepse mësimi deri në klasën e nëntë është i obliguar me ligjet e Republikës së Kosovës. Sërish kërkojmë nga këshillat e prindërve dhe nga ekipet për parandalim të braktisjeve që të merren më shumë me këtë dukuri e cila nuk duhet të përsëritet nga shtatori”, ka thënë Islami.

Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se deri më tash nuk kanë iniciuar ndonjë procedurë për prindërit që nuk i kanë sjellë fëmijët në shkollë.

“Kemi pasur raste të braktisjeve, kryesisht nga komuniteti ashkali, andaj kjo ka qenë edhe arsyeja pse nuk kemi iniciuar ndonjë procedurë ndëshkuese nëpërmjet organeve të drejtësisë. Mësimi deri në klasën e nëntë është i obliguar, andaj në disa raste drejtorët e shkollave janë munduar që të praktikojnë metoda ndëshkuese. Familjet e komunitetit ashkali sa herë që e vazhdojnë socialin u duhet nga një vërtetim që fëmijët i kanë në shkollë, prandaj nëpërmjet kësaj metode disa shkolla janë munduar t’i kushtëzojnë prindërit për t’i sjellë fëmijët në shkollë”, ka thënë Llabjani.

Ai ka shtuar se pavarësisht situatës së krijuar gjatë këtij viti nga nxënësit e komunitetit, “ekipet për parandalim të braktisjeve kanë treguar rezultate pozitive në shumë raste dhe kanë kthyer fëmijët në shkollë”.