Arbëri

Komuna e Ferizajt: Do ta mbrojmë gjimnazin, shkaktarët e djegies të bëhen publikë

Komuna e Ferizajt iu ka bërë thirrje organeve hetimore dhe të ndjekjes që t’i gjejnë shkaktarët e djegies së gjimnazit të parë të qytetit dhe “t’i bëjnë publikë për qytetarët”.

Nëpërmjet Facebookut, Komuna tha të martën se do ta mbrojë këtë objekt pasi përfaqëson vlera të trashëgimisë kulturore dhe do t’ia ofrojë qytetarëve pas restaurimit.

LEXO EDHEShkolla me dyer të mbyllura ku ruhet historia

“Do ta mbrojmë objektin e ish Gjimnazit në Ferizaj, shkaktarët e zjarrit të hetohen nga organet e sigurisë dhe drejtësisë. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, objekti i ish Gjimnazit të Vjetër në Ferizaj, u përfshi nga zjarr masiv, duke shkaktuar dëme të mëdha në gjithë objektin, objekt ky që përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore e që së fundmi, pikërisht dje më 13.03.2023, nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nisën ndërhyrjet e para për renovimin e tërësishëm të objektit”, thuhet në reagim.

“Gjimnazi i Vjetër” u dogj në orët e para të së martës dhe ky objekt është nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.