Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, të martën kanë përuruar objektin e çerdhes në fshatin Zhegër të Gjilanit.
“Jam shumë i lumtur që sot ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci bashkë me kryetarin e Komunës, Alban Hyseni, përuruan çerdhen në Zhegër të Gjilanit, punimet e të cilës kanë përfunduar në shtator të vitit 2021”, ka shkruar Gagica në Facebook.
Në postimin e tij ai ka bashkangjitur edhe një video që sipas tij është realizuar më 7 shtator të vitit 2021 ku ai përgëzon fëmijët dhe banorët e fshatit për çerdhen e re.
“Ky është objekti i ri i çerdhes së fëmijëve në Zhegër, këtë projekt e realizuam në vitin 2021 në bashkëpunim dhe bashkëfinancim me Ministrinë e Arsimit dhe tani kjo çerdhe do të jetë në shërbim të fëmijëve të qytetarëve të Zhegrës”, thotë ai në këtë video.
Ai ka bashkangjitur edhe një video të ceremonisë që është zhvilluar të martën, në të cilën kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, e paraqet ndërtimin e objektit si të arritur të mandatit të tij e të Nagavcit.
“Zotimi ynë fillestar ka qenë që të ndërtohen katër çerdhe të reja brenda një mandati në komunën e Gjilanit, pra një ka përfunduar dhe një është në përfundim e sipër, e treta do të fillojë dhe e katërta do të përfundojë së shpejti”, ka theksuar Hyseni në ceremoninë e përurimit”, ka thënë Hyseni.
Për objektin e ri të kësaj çerdheje ka shkuar edhe ministrja Nagavci.
“Edhe një kopsht për fëmijë. Përmirësimi i qasjes në edukimin në fëmijëri të hershme është objektiv i ynë qeverisës. Kjo ngase të gjithë fëmijët meritojnë ambient të sigurt, mirëqenie, dhe edukim që në hapat e parë të jetës. Bashkë me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni përuruam objektin e Kopshtit për fëmijë në Zhegër të Gjilanit që është investim i përbashkët në mes të MAShTI dhe komunës së Gjilanit”, ka shkruar Nagavci.
Sipas saj ky objekt ka qenë i viteve të 80-ta, i demoluar dhe shkatërruar dhe se është adaptuar në kopsht.
“Si Qeveri do të vazhdojmë ndërtimin e çerdheve në fshatra e zona rurale në mënyrë që të gjithë fëmijët të kenë mundësi të barabarta. Krahas kësaj, jemi duke punuar edhe në përmirësimin e kurrikulës për moshën 0-6 vjeҫ dhe në trajnimin e edukatoreve për qasje më të përshtatshme për moshën e fëmijëve”, ka shkuar Nagavci.