Arbëri

Vitia viziton Shtimen, premton 5 milionë euro investime

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të martën është takuar me kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.

Ky takim është mbajtur në kuadër të vizitave nëpër komuna, në të cilat, thuhet se së shpejti do të fillojnë investimet në sektorin e shëndetësisë.

“Ai sot vizitoi Komunën e Shtimes ku është planifikuar ndërtimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, për të cilën Ministria e Shëndetësisë ka ndarë buxhet në vlerë prej 1 milion e 250 mijë euro, si dhe ndërtimi i Entit Special në këtë Komunë për të cilin janë ndarë 4 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Gjatë takimit me Aliun dhe kabinetin e tij, ministri Vitia, citohet të ketë thënë se përveç planifikimit për ndërtimin e projekteve kapitale, mbetet i përkushtuar për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Komunës së Shtimes.

“Ishte kënaqësi takimi me kryetarin Aliu. Me projektet e reja të cilat u prezantuan nga kryetari dhe drejtori i shëndetësisë, është tregues se në shëndetësi qytetarët e Shtimes në të ardhmen do të kenë shërbime shumë më cilësore. Sot biseduam edhe për dy projekte me rëndësi, siç janë ndërtimi i Entit Special dhe i QKMF-së në këtë komunë, projekte të cilat do të jenë në fokusin tonë dhe prioritete si Ministri e Shëndetësisë”, citohet të ketë thënë Vitia.

Sipas njoftimit të Ministrisë Aliu ka shprehur falënderimin për angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë që Komuna e Shtimes të ketë investime të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë.

“Sipas tij, është lajm shumë i mirë që vëmendja e pushtetit qendror është kthyer edhe kah Komuna e Shtimes e cila ka qenë e diskriminuar sa i përket investimeve në sektorin e shëndetësisë. Pas këtij takimi, së shpejti do të mbahet edhe një takim i radhës me të gjitha ministritë e linjës për të definuar procesin dhe përgjegjësitë në kuadër të shtimit të kapaciteteve dhe shërbimeve shëndetësore, si dhe ndërtimin e Entit Special dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Shtimes”, thuhet në njoftim.