Arbëri

​Vitia: Jemi të përkushtuar për ndërtimin e spitalit rajonal dhe QKMF-së në Ferizaj

Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Ferizajt kanë rënë dakord për ndërtimin e Spitalit Regjional dhe të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë. Kjo u bë e ditur në një konferencë për media të enjten pas takimit që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pati me kreun e kësaj komune, Agim Aliu.

Vitia ka thënë se do të angazhohen me intensitet të shtuar për ndërtimin e këtyre dy objekteve shëndetësore, për të cilat shtoi se do të kujdesen t’i shoqërojnë me staf shtesë.

“Qysh u dakorduam edhe me kryetarin, kjo tani do të zgjidhet si nyje dhe besoj se pas takimit të sotëm nuk kemi asnjë arsye që kjo nyje të mos zgjidhet dhe do të vazhdojmë përpara dy projekte jetike për qytetarët, siç ëhstë QKMF-ja dhe Spitali i Ferizajt... Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë punën me një intensitet të shtuar në mënyrë që qytetarët e Ferizajt të kenë qasje në shërbime cilësore, ashtu siç e meritojnë”, ka thënë Vitia.

Sipas Aliu, ndërtimi i këtyre institucioneve shëndetësore në Ferizaj do të hapë një kaptinë të veçantë për këtë komunë.

“Kemi dakordim me ministrin që dy çështjet jetike të Ferizajt, ndërtimi i spitalit regjional dhe ndërtimi i QKMF-së së re, jemi dakorduar se do t’i përmbyllim si procese... Biseduam me ministrin që Ferizaj, dhe shëndetësia e Ferizajt është e kufizuar edhe sa i përket resurseve humane të të gjitha kategorive, dhe shpresojmë se në të ardhmen ndërtimi i spitalit të Përgjithshëm dhe QMF-së do të shkojnë krahas që pastaj të shoqërohen me staf përcjellës... Jam i sigurt se do të fillojë një kaptinë e veçantë për Ferizajn”, ka thënë ai. /KP