Arbëri

Konsiderohet e pakuptimtë vonesa e zbatimit të rregullores për mbeturina në Podujevë

E pazbatuar mbetet Rregullorja për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Podujevës. Zbatimi i këtij dokumenti, i miratuar më 2019, do të duhej të niste në janarin e vitit 2020, porse nuk u jetësua as pasi Kuvendi Komunal e shtyu tri herë radhazi hyrjen e tij në fuqi. Përfaqësues të shoqërisë civile e kualifikuan moszbatimin e Rregullores si papërgjegjësi të Komunës. E zyrtarët komunalë nuk e komentuan rastin

Zvarritja e zbatimit të Rregullores për menaxhimin e mbeturinave në Podujevë po kritikohet nga shoqëria civile në këtë komunë.

Përfaqësues të saj pretendojnë se shkaku i moszbatimit të këtij dokumenti po gjenerohet një keqmenaxhim me mbeturina dhe si rezultat, mbeturinat po hidhen kudo nëpër qytet.

“Natyrisht, ne e shohim si të papërgjegjshëm mosfunksionalizimin e kësaj rregulloreje nga Komuna e Podujevës, duke e ditur se po shohim mbeturina gjithandej komunës tonë dhe natyrisht se me funksionalizimin e kësaj rregulloreje besoj që ato mbeturina do të ishin shumë më pak”, ka thënë drejtori ekzekutiv i OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë, Rexhep Zeka”.

Rregullorja për menaxhimin e mbeturinave është miratuar në vitin 2019, e hyrja e saj në fuqi planifikohej për 1 janar të 2020-s. Plani nuk u jetësua as pasi që Kuvendi Komunal e shtyu tri herë hyrjen në fuqi.

Zyrtarët komunalë në Podujevës nuk ishin të gatshëm të deklaroheshin rreth çështjes, ani se janë kontaktuar nga KOHA që nga java e shkuar.

Zeka, ndërkaq, thotë se Komuna nuk mund ta shtyjë këtë çështje deri në pafundësi.

“Nuk mundet Komuna t’i ikë në pafundësi funksionalizimit të kësaj rregulloreje shumë të rëndësishme për Komunën tonë, duke e ditur që mbeturinat përveçqë janë një dukuri e keqe, janë edhe në dëm të shëndetit të qytetarëve të Komunës së Podujevës”, ka thënë Zeka.

Rregullorja parasheh që faturimin ta marrë përsipër administrata komunale, ndërsa qytetarëve u kushtëzohet nxjerra e dokumenteve komunale me pagesën e faturave për mbeturina.

Nga shoqëria civile është bërë thirrje që Komuna, në rast se e konsideron si problematik ndonjë nen atëherë ta bëjë ndryshimin e tij, porse të mos e zvarrisë funksionalizimin e dokumentit.

Nga 35 mijë familjet sa konsiderohet se janë në gjithë Komunën e Podujevës, aktualisht vetëm 9 mijë janë në sistemin e pagesës së mbeturinave.