Çizmet e verdha e kanë veçuar gjithnjë kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj. Nuk ka ngurruar që sa herë ka pasur mot të keq, t’i mbathë ato dhe të jetë afër qytetarëve.
Muharremaj, që thotë se shumicën e kohës e shpenzon në terren, i shfrytëzon rrjetet sociale për të treguar afërsinë që ka me banorët e Komunës së Suharekës.
Në emisionin “SOT” të KTV-së, kreu i Suharekës ka thënë se këtë e bën për t’iu dhënë mbështetje morale atyre.
“Ato [çizmet] janë mjete të punës. Kryetari i komunës duhet me qenë me qytetarët, së paku kur e shohin në terren, qytetarët marrin mbështetje morale. Kur del në terren, duhesh me iu përshtat terrenit. Kur del në vise malore, nuk mundesh me shku kështu qysh jam sot”, ka thënë ai.
Muharremaj ka theksuar se 75 për qind të kohës sa është në punë, ai e shpenzon në terren. Ka shtuar se nuk punon deri në orën 16:00, por deri në mesnatë, madje edhe fundjavave.
“Nuk e kemi plan me u ndal. Jemi kanë në shpejtësinë dy, tash do ta vendosim në shpejtësinë tre”, ka thënë Muharremaj.
Muharremaj e ka konsideruar vitin 2022 si një nga më të suksesshmit për Komunën e Suharekës. Pret një vit edhe më të mirë.