Kosovë

Aktivistët e Prizrenit kërkojnë heqjen e kufizimeve në moshë për punë vullnetare

 

Kontributi i vullnetarëve të Prizrenit është vlerësuar si vlerë e çmuar për shoqërinë, me ç’rast të rinjtë dhe aktivistët kanë kërkuar që puna vullnetare të mos ketë kufizime në moshë. Ndërsa autoritetet komunale janë zotuar për jetësimin e kartës së vullnetarit, me qëllim të nxitjes së angazhimit të të rinjve në aktivitete vullnetare

Kontributi i vullnetarëve të Prizrenit është vlerësuar si vlerë e çmuar për shoqërinë, ndërkohë që nga institucionet relevante është kërkuar që të mënjanohen kufizimet në moshë për njohjen e punës vullnetare. Në diskutimin e mbajtur në ndërtesën e Kuvendit të Komunës, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, autoritetet komunale janë zotuar për jetësimin e kartës së vullnetarit, me qëllim të nxitjes së angazhimit të të rinjve në këtë aspekt.

Të rinjtë si dhe aktivistët e shoqërisë civile duke vënë në pah rëndësinë e punës vullnetare kanë theksuar se në këtë mënyrë krijohen përvoja të vlefshme për individët e ndryshëm që kontribuojnë në komunitet. Në të njëjtën kohë është theksuar se puna vullnetare nuk duhet të ketë kufizime në moshë, pasi ka ndikim në zhvillim ekonomik dhe social.