Arbëri

Komunat e regjionit të Prizrenit zotohen për financim të strehimores për viktimat e dhunës në familje

Descriptive Text

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se kryetari Shaqir Totaj ka nënshkruar Memorandum mirëbesimi me “Qendrën për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve” në Prizren, për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve të strehimores për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje e të dhunës mbi bazën gjinore dhe formave të tjera të dhunës, për periudhën fillestare tre vjeçare.

Sipas njoftimit të Komunës në këtë projekt, përveç Komunës së Prizrenit, janë të përfshira edhe Komuna e Suharekës, Dragashit dhe ajo e Mamushës.

“Komuna e Prizrenit, do t’i mbështesë padiskutueshëm viktimat dhe asnjë grua nuk guxon të përjetojë asnjë lloj të dhunës. Ne punojmë drejt fuqizimit të lidershipit të grave në Komunën tonë si dhe në parandalimin e dhunës. Diagnostikimi i shpejt i kësaj problematike, siguron terapi të duhur për eliminimin e këtij fenomeni negativ”, citohet të ketë thënë Totaj.

Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi, misioni i OSBE-së në Kosovë, ka organizuar një ceremoni ku kanë marr pjesë edhe zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, kryetarë komunash, përfaqësues të pushtetit vendës, nga gjyqësori, Institucioni i Avokatit të Popullit, bizneset, organizatat joqeveritare dhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.