Arbëri

Brenda dy muajsh, dy herë përmbytet një lagje e komuniteteve pakicë në Gjakovë

Haxhi Cufa, nga lagjja “Brekoc” në Gjakovë, tregon se ishte detyruar ta thyejë murin në dhomë për ta larguar sasinë e ujit, pas vërshimeve të shkaktuara si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

“Qeto dy tre ditë shiu i madh që ra qetash e kam marrë familjen e kam larguar nga shtëpia. Para se me hi uji, nuk ka pasur një orë. I kam dërguar te djali i hallës e unë kam qëndrua në shtëpi. Qe ku ka hyrë uji aty. Janë mbushur me ujë. Tmerr është. Nuk na ka pritë asgjë me largu. Ashtu kështu nuk kemi pasur po qeto që i kemi pasur që na i kanë dhënë komuna nga 500 euro kemi ble diçka në shtëpi dhe edhe ato janë dëmtuar. Nuk e di çka me thanë. Tmerr është. Një shi me ra veç duhet me ikë”, tha Cufa.

E kjo lagje në të cilën jetojnë pjesëtarë të komuniteteve pakicë me vërshime të mëdha ishte përballur edhe dy muaj më parë.

Në shtator, kur i ka vizituar kryetari i Komunës, Ardian Gjini, u premtoi se do t’iu gjejë një zgjidhje të përkohshme dhe të sigurt strehimi.

Por banorët tregojnë se ajo çfarë është ofruar nga komuna nuk iu është përshtatur, dhe tanimë kanë mbetur sërish në prag të shtratit të lumit Erenik.

“Tjetër zgjidhje kanë thanë që me i gjetë banesat e me i pagu ata. Por unë vetë i nënti, dikush vetë i 15 dhe nuk lëshojnë qira. Nëse je pak anëtarë të lejojnë me shku, mirëpo kështu nuk të lejon askush dhe prapëseprapë po qëndrojmë këtu. Kanë dashur të na dërgojnë në FSK, por ne nuk kemi pranuar. Sepse ne jemi shumë kallaballëk dhe atje duan qetësi e jo probleme. E ne fëmijë shumë. Nuk kemi pranuar”, tha Cufa.

Pavarësisht gjendjes në terren dhe asaj çfarë thonë banorët, në Komunën e Gjakovës kanë thënë se kanë bërë evakuimin e banorëve të prekur nga vërshimet duke iu siguruar banim të përkohshëm.

“Sa i përket lagjes në “Brekoc” ky është një vendbanim joformal. Në të kaluarën banoret aty kanë ndërtuar shtëpi pa leje ndërtimi në një zonë e cilësuar zonë e rrezikuar nga përmbytjet e ku nuk lejohet ndërtimi. Sikurse në muajin shtator ashtu edhe këto ditë Komuna e ka bërë evakuimin e tyre duke u siguruar banim të përkohshëm. Bashkë me strehim u është siguruar edhe ushqim, veshmbathje e nevoja tjera sipas situatës së krijuar. Aktualisht Komuna nuk mund t’u sigurojë banim të përhershëm, por të njëjtit janë në listën prioritare për strehim të përhershëm në 2 banesat sociale, ndërtimi i së cilave tashmë e ka kaluar fazën e prokurimit nga Komuna e Gjakovës”, thuhet nga Komuna e Gjakovës.

Ndër më të goditurit nga vërshimet në Gjakovë janë edhe banorët pranë Urës së Fshejtë. Lumi Drin ka dalë nga shtrati dhe ka dëmtuar bizneset përreth.

Dëme janë bërë edhe në infrastrukturë. Nga vërshimet është shembur ura në aksin rrugor që lidh fshatrat Ujz dhe Rogovë. Për pasojë, ajo është ndaluar për qarkullim.

Në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave thonë se rajoni më i prekur nga vërshimet është ai i Dukagjinit.

“Qytetarët kanë kërkuar nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, kanë kërkuar ndihmë nga njësitë profesionale të zjarrfikësve të shpëtimit ku njësitë profesionale të zjarrfikësve dhe shpëtimit kanë qenë të bllokuar duke iu dalë në ndihmë qytetarëve. Konkretisht ndihmën duke i tërhequr nga shtëpitë, ku shumë shtëpi kanë qenë të mbuluara me ujë dhe njësitë kanë shkuar me pompa të ndryshme dhe me pompime”, tha Lajçi.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për vazhdim të reshjeve edhe gjatë të martës dhe të mërkurës, duke rrezikuar ngritjen e nivelit të lumenjve.