Arbëri

Kryetari i Mitrovicës V.: Nuk i pranojmë vendimet e njëanshme të Prishtinës

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, në një intervistë për “Kosova Online” ka thënë se situata në veri është e qetë, por ka një lloj tensioni dhe se qytetarët po presin respektimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë.

Radojeviq ka thënë se targat janë kryetemë për qytetarët.

“Situata në Mitrovicë të Veriut është e qetë, si në ditët e kaluara. Qytetarët i kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme, por vërehet se janë të mërzitur, sepse në çdo hap flitet për targat dhe lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”, ka thënë Radojeviq.

Sot është dita e fundit kur qytetarët mund të kthejnë pa shpenzime targat nga ato ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të Kosovës, për në ato RKS.

Nga 1 nëntori deri më 21 nëntor Policia e Kosovës do të japë fletëqortime për qytetarët që kapen me targa ilegale, ndërsa nga 21 nëntori deri më 21 janar do të ndajë gjoba nga 150 euro.

Radojeviq thotë se përfaqësueszit e serbëve po apelojnë vazhdimisht te qytetarët që të jenë të qetë dhe të “mos bien në provokime të mundshme”.

“Ne si përfaqësues politikë jo vetëm këto ditë, por javë e muaj më parë jemi përpjekur ta ruajmë paqen, jo vetëm në veri të Mitrovicës, por në gjithë territorin e Kosovës e M. Ne bisedojmë me qytetarët, ndikojmë që ata të qëndrojnë të përmbajtur, apelojmë që të kenë besim në udhëheqjen e tyre shtetërore, në ekipin tonë negociator dhe në shtetin e Serbisë”, tha Radojeviq.

Ai ka thënë se pret që të garantohet liria e lëvizjes.

“Lëvizja në veri të Kosovës është absolutisht e mundur për të gjithë. Liria e lëvizjes u ofrohet të gjithëve, përfaqësuesve të KFOR-it, EULEX-it dhe përfaqësuesve të Policisë së Kosovës. Nuk ka asnjë problem, dhe përderisa ata kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin dhe prioritet e kanë mbrojtjen e qytetarëve, nuk do të ketë probleme. Por nga ana tjetër presim që edhe ne të na garantohet liria e lëvizjes, që liria jonë e lëvizjes të mos na kufizohet me afate dhe vendime të njëanshme të Prishtinës”, tha Radojeviq.