Arbëri

Gjini propozon që orët e humbura të kompensohen gjatë ditëve të punës e jo fundjavave

Descriptive Text

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka propozuar që orët e humbura të mësimit si pasojë e grevës në arsim, të kompensohen gjatë ditëve të punës dhe jo në fundjavë e ditëve të pushimit.

Ai ka thënë se kompensimi pa pushim do të jetë stërlodhje për fëmijët.

Ndërkaq, si arsye tjetër ka shtuar krizën energjetike, për të cilët tha se shpenzimi i energjisë do të ishte më i lartë dhe me rrezik që të ngrohen shkollat në ditët shtesë që janë planifikuar sipas MASHTI-t.

“Ministria e Arsimit duhet ta ndryshojë vendimin për kompensimin e orëve të punës të humbura gjatë grevës. Orët e punës duhet të kompensohen, por jo gjatë fundjavës dhe ditëve të pushimit. Fillimisht, fëmijët do të stërlodhen. Edhe familjet e tyre. Së dyti, për shkak të pasigurisë që na pret si pasojë e krizës energjetike, shpenzimi i energjisë do të jetë shumë më i lartë dhe me rrezik të pamundësisë për t’i ngrohur shkollat”.

Gjini ka shtuar se edhe bartja e nxënësve do të jetë më e vështirë për shkak të çmimit të karburantit.

“Prandaj orët duhet kompensuar gjatë ditëve të punës, pesë orë shtesë në javë për çdo klasë dhe nxënës deri në kompensimin e plotë”, shkroi Gjini në Facebook.

Ai tha se të enjten ia ka dërguar një letër ministres së Arsimit, prej së cilës nuk ka marrë përgjigje.

Image