Arbëri

Kuvendi Komunal i Gjilanit miraton buxhetin për vitin 2023

Kuvendi Komunal i Gjilanit, komunë që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, ka miratuar të premten propozim-buxhetin për vitin 2023, falë votave të asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës. Pikat e tjera të seancës janë shtyrë për javën tjetër.

Riad Rashiti, drejtor i Financave, ka thënë se miratimi i buxhetit për vitin 2023 është hap i rëndësishëm për qytetarët e Gjilanit.

“Buxheti për vitin 2023, në shumë prej 32.599.281 euro, është për 3.5 milionë më i madh krahasuar me vitin aktual”, sipas njoftimit të Komunës.

Ky buxhet sigurohet nga granti qeveritar – 27.646.695 euro dhe të hyrat vetanake – 4.952.586 euro.

“Nga kjo shumë, për subvencione janë planifikuar 1.195.000 euro, ndërkaq për investime kapitale – 8.435.158 euro”, ka thënë Rashiti.

Rashiti theksoi se buxheti komunal për vitin 2023, është i orientuar në tri aspekte, zgjidhjen e problemeve elementare infrastrukturore, në projekte zhvillimore, si dhe në realizimin e projekteve në bashkëfinancim me donatorë të ndryshëm.

Opozita (LDK, AAK, Vatra, LS) nuk kanë marrë pjesë në seancë, pasi dje e kishin braktisur atë në shenjë mospajtimi me rendin e ditës si dhe thirrjen e seancës së re, pa u mbyllur seanca paraprake.