Kosovë

INPO ngre dyshime për dallavere në tender, Komuna e Podujevës i mohon akuzat

 

Përderisa iniciativa për progres INPO akuzoi Komunën e Podujevës për keqpërdorim të parasë publike duke e shpërblyer një operator ekonomik më të shtrenjtë, zyrtarët komunalë e kanë quajtur këtë trillim dhe se ata insistojnë se komisioni vlerësues ka vepruar drejt në tenderin për asfalt

Trillim i ka quajtur zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, akuzat e organizatës joqeveritare INPO rreth dallavereve në një tender për asfaltimin e disa rrugëve në këtë komunë. Iniciativa për progres INPO e ka akuzuar pushtetin komunal të Podujevës se ka keqpërdorur paranë publike kur ka lidhur kontratë me një operator ekonomik duke e shpërblyer me kontratë ofertuesin më të shtrenjtë. Por, zëdhënësi Zhitia ka thënë se operatori më i lirë është vlerësuar i papërgjegjshëm.

“Sa u përket akuzave nga organizata joqeveritare Iniciativa për Progres (INPO) në drejtim të Komunës së Podujevës për skemë të planifikuar për dhënie të kontratës ndaj një operatori të caktuar ekonomik është trillim. Pasi që komisioni vlerësues për dhënie të kontratës nga Komuna e Podujevës nuk ia ka ofruar kontratën operatorit me çmimin më të lirë për shkak se ai është treguar i papërgjegjshëm në përmbushjen e kushteve dhe kritereve për marrjen e kontratës”, ka thënë Fatri Zhitia.