Arbëri

Asamblisti më i votuar dorëhiqet nga VV-ja në Lipjan

Asamblisti më i votuar në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Lipjanit, Fitim Mëziu, i është bashkuar listës së zyrtarëve që kanë dhënë dorëheqje nga ky subjekt për shkak të procesit të brendshëm zgjedhor.

Të enjten dorëheqjen e konfirmuan tre zyrtarë të VV-së në këtë degë, ndërsa Mëziu të premten u bë emri i pestë që largohet nga VV-ja. Ai ka njoftuar se do të vazhdojë të veprojë si asamblist i pavarur.

“Ju njoftoj që nga sot unë nuk do të jem pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Kur qëllimi për të cilin je i angazhuar nuk është qëllim për të gjithë aty s’ke ardhmëri. Shëndeti dhe mirëqenia janë fusha për të cilat do të angazhohem si Asambleist i Pavarur nga votat e juaja qytetar të nderuar. Në zgjedhjet lokale ju bashkova ekipit të Lëvizjes Vetëvendosje duke besuar e shpresuar në një organizim të mirëfilltë brenda saj. Nga ato zgjedhje unë dola si kandidati më i votuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvendin Komunal”, ka thënë Mëziu.

Mëziu ka thënë se në VV ka figura “që kanë luajtur me dy karta”.

KOHA ka dy ditë që po provon të marrë një qëndrim nga koordinatori i Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, Adnan Rrustemi, por ai ka qenë i paqasshëm.