Kryeministri Albin Kurti, shoqëruar edhe nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, kanë bërë homazhe në nderim të katër dëshmorëve të familjes Lleshi të fshatit Vraniq të Gjakovës të cilët 24 vite më parë ranë heroikisht në betejë kundër okupatorit serb.
Heronjtë Mark Tunë Lleshi dhe Kolë Gjon Lleshi, ranë dëshmorë më 7 gusht 1998, ndërsa Prend Zef Lleshi e Memë Zef Lleshi, ranë dëshmorë më 28 janar 1999 në Rogovë të Hasit.
Kurti tha se agresioni e krimet e Serbisë dhe rezistenca e qëndresa jonë janë e vërteta historike e faktike.
“Para një çerek shekulli UÇK-ja organizoi popullin në kryengritje kundër pushtuesit dhe okupatorit serb i cili kreu gjenocid në Kosovë. Agresioni e krimet e Serbisë dhe rezistenca e qëndresa jonë janë e vërteta historike e faktike. Lavdi gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar!”, ka shkruar Kurit në Facebook.