Arbëri

90% e kamerave të sigurisë në Prizren jashtë funksionit

Rreth 90 për qind e kamerave të sigurisë në komunën e Prizrenit tash e disa vite nuk janë funksionale. Policia kërkon nga Komuna që të njëjtat të rikthehen në punë pasi ndihmojnë në sigurinë dhe zbardhjen e rasteve. Komuna premton se rikthimi i tyre në punë do të bëhet gjatë këtij viti ndërsa kanë paralajmëruar shtim të numrit të tyre. Edhe qytetarët kanë kërkuar që ato të rikthehen në funksion.

Komandanti i Stacionit të Policisë në Prizren, Vebih Zekolli deklaroi se roli i kamerave vëzhguese është shumë i rëndësishëm. Ai tha se po presin që kamerat e reja të shtrihen edhe nëpër lagje periferike.

“Roli i kamerave është një rol shumë i madh, marr parasysh aspektin primitiv dhe zbulimin e rasteve të ndryshme penale ose kundërvajtëse... Sa i përket kamerave dhe funksionalizimit të tyre në stacionin policor në gjithë komunën e Prizrenit për momentin është një numër simbolik në funksion me premtimin prej organeve komunale që shumë shpejt ato do te tenderohen dhe do të shfaqen në publik në aspekt të interesit të kompanive të ndryshme për t'i instaluar në të gjithë qytetin e Prizrenit dhe në lagjet perferike. Presim shumë shpejtë që organet komunale të funksionalizojnë kamerat në gjithë qytetin si një ndihmesë e madhe, së pari për policinë që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e gjithë qytetarëve, sidomos gjatë sezones verore kur është një ngarkesë e madhe me aktivitete të ndryshme”, tha ai.

Zekolli u shpreh se janë katër kamera funksionale që monitorohen nga policia në Prizren në dy fshatra, ndërsa në qytet janë edhe katër të tjera, por që policia i kërkon pamjet vetëm kur ka nevojë për to.

“Zyrtarisht shumica dërrmuese e tyre, pra 90% e tyre nuk janë në funksion për momentin në territorin e stacionit policor në Prizren që përfshimë ne… Në territorin e stacionit policor në Prizren për momentin kemi kamera funksionale dhe që monitorohen prej policisë në Reqan, rajonin e Zhupes janë katër kamera te cilat monitorohen dhe janë funksionale. Të tjerat nëpër qytet që ne mbulojmë territorin tonë janë katër kamera por të cilat nuk janë të monitoruara prej neve dhe shfrytëzohen vetëm në raste të caktuara kur kemi nevojë shkojmë dhe i monitorojmë për ndonjë rast të caktuar”, theksoi Zekolli.

Zekolli ka thënë se në bazë të statistikave prej analizave qe janë bërë në çdo vend të botës është parë qe vendosja e kamerave në aspekt te monitorimit të lëvizjes edhe akteve tjera kundërvajtëse penale është shume i rëndësishëm.

Komuna e Prizrenit janë deklaruar se është hapur tenderi dhe se funksionalizimi i kamerave do të bëhet këtë vit. /KP