1 perditesime
19:10

Nisin hetimet rreth pretendimeve të drejtorit të shkarkuar të Inspektoratit në Podujevë

Në veprim për hetime është vënë të premten Prokuroria Themelore e Prishtinës rreth pretendimeve të adresuara nga ish-drejtori i Inspektoratit në Podujevë, Besnik Mulliqi, mbi ndërtimet pa leje në këtë komunë. Nisja e hetimeve është iniciuar pak ditë pasi që Mulliqi ka ngritur akuza në llogari të kryetarit dhe të komunës për pengimin e mbrojtjes së zonës së Orllanit nga ndërtimet e egra.

“Duke iu referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, mund t’ju njoftojmë se Prokuroria është duke i shqyrtuar të gjitha pretendimet e dhëna në opinionin publik nga z. Mulliqi, si dhe në bazë të kompetencave të saj do të veprojë konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet nga Laura Ulaj, zyrtare për media në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Gjatë ditës, KOHA ka tentuar që të marrë një qëndrim nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, porse ai nuk ka qenë i qasshëm. E me anë të një postimi në Facebook, ai e ka mirëpritur nisjen e hetimeve.

“I gëzohem këtij lajmi dhe mirëpres çdo hetim, me qëllim që të zbardhet e vërteta lidhur me këtë çështje. Shpreh gatishmërinë e plotë, që si institucione lokale, të bashkëpunojmë ngushtë me Prokurorinë për zbardhjen e së vërtetës për ndërtimet ilegale në atë zonë”, shkroi Bulliq.

Drejtori i shkarkuar Mulliqi nuk ka qenë i gatshëm që të deklarohet, me arsyetimin se tanimë i ka thënë të gjitha rreth rastit.

Akuzat e kundërakuzat midis kryetarit dhe ish-drejtorit të Inspektoratit janë shpërfaqur pas vendimit të Bulliqit për shkarkimin e Mulliqit, të protokolluar në ditën e aksionit për rrënimin e dy objekteve pa leje në Orllan.

Mulliqi pati thënë për KOHËN se është përballur me presion nga kryetari rreth ndërtimeve pa leje në Batllavë dhe për ndërtime të tjera brenda Komunës së Podujevës.

Qëndrim tjetër kishte shprehur Bulliqi, që ka pretenduar se shkarkimi ka ndodhur pikërisht shkaku i mosveprimit dhe të sabotimit të punës nga ana e Mulliqit përkitazi me ndërtimet.

Një ditë pas shkarkimit të Mulliqit, ka dhënë dorëheqje drejtori i Shëndetësisë, Driton Veliu. E pakënaqësinë rreth zhvillimeve, nëpërmjet rrjeteve sociale, e kanë shprehur këshilltarët komunalë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë.

Porse zyrtarë të saj për ditë me radhë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me zhvillimet në Komunën që është nën menaxhimin e subjektit.

14:40

Prokuroria po shqyrton akuzat ndaj Bulliqit lidhur me ndërtimet pa leje

Prokuroria e ka konfirmuar për KOHËN nisjen e hetimeve lidhur me pretendimet e ish-drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi.

"Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, mund t’ju njoftojmë se Prokuroria është duke i shqyrtuar të gjitha pretendimet e dhëna në opinionin publik nga z. Mulliqi, si dhe në bazë të kompetencave të saj do të veprojë konform dispozitave ligjore në fuqi", ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

Pas shkarkimit nga pozita e drejtorit, Besnik Mulliqi e kishte akuzuar kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin, se e ka penguar në zbatimin e ligjit për objektet pa leje në zonën e Orllanit.

Por, këto akuza i ka mohuar duke thënë se arsyeja e shkarkimit ka ndodhur pikërisht për shkak të mosveprimit të Mulliqit karshi ndërtimeve pa leje.

Bulliqi nëpërmjet një postimi në Facebook e ka mirëpritur nisjen e hetimeve.

 

Në media po qarkullon lajmi se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet për ndërtimet pa leje në zonën...

Posted by Shpejtim Bulliqi on Friday, August 5, 2022