2 perditesime
20:12

(Mos)rrënimet në Batllavë përcillen me shkarkime, përplasje e akuza

Me shkarkime e akuza për pengesa dhe mospunë është përcjellë shkarkimi i Besnik Mulliqit nga pozita e drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Podujevës. Në ditën kur u kryen disa rrënime në zonën e Batllavës, Mulliqi ka marrë vendimin për shkarkim nga kryetari Shpejtim Bulliqi që e ka akuzuar ish-drejtorin për mungesë veprimesh. Ndërkaq Mulliqi e ka akuzuar kryetarin e komunës për pengesa në punë.

Në një shkrim në Facebook të martën, pasi vendimi për shkarkimin e tij u protokollua, Mulliqi ka thënë se është penguar për shkak të përpjekjeve për ta mbrojtur zonën e liqenit të Batllavës. Ai ka pranuar se ka pasur mospajtime të thella me Bulliqin. E ka quajtur skandaloz vendimin për shkarkim.

“Të nderuar qytetarë të Podujevës, të dashur aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje! Ju njoftoj që sot pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës, kam pranuar në emailin zyrtar vendimin për shkarkim nga ZKA. Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekjeve të mia të vazhdueshme për ta mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm! Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë unë në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër ‘Ai’ në tentim për të më penguar! Prandaj, me vendim të kryetarit nuk do të vazhdoj të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz. Të gjithë juve qytetarë të Podujevës dhe aktivistë të Lëvizjes, ju falënderoj nga zemra për përkrahjen e vazhdueshme!” ka shkruar ai në Facebook, pak orë pasi KOHA raportoi për shkarkim.

Ndërkaq në një përgjigje për KOHËN, Mulliqi ka thënë se “ka pasur presion për ndërtimet në Batllavë dhe për ndërtime tjera brenda Komunës së Podujevës”.

Ai ka thënë se pos rrënimeve të së martës, ka edhe vendime tjera për rrënim.

Të gjitha këto akuza i ka mohuar kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Ai ka thënë se “është pikërisht mospuna dhe sabotimi i Mulliqit” që e ka detyruar ta marrë këtë vendim. Kryetari i Komunës së Podujevës ka thënë se për këta muaj sa Besnik Mulliqi ka qenë drejtor i Inspektoratit nuk e ka marrë asnjë veprim ndaj objekteve pa leje.

“Paralajmërimi për shkarkim i është bërë më 20 korrik dhe krejt kjo për shkak të neglizhencës dhe mosmarrjes së veprimeve konkrete mu për ndërtimin e objekteve pa leje në lokalitetin e Orllanit. Deri tash janë 39 objekte pa leje dhe asnjë veprim të vetëm nuk e ka marrë deri sot. Dhe shkarkimi i tij dhe transferimet që janë bërë brenda kësaj Drejtorie janë bërë për shkak të neglizhencës dhe sabotimit të punës. Për 8 muaj ditë asnjë veprim të vetëm nuk e ka marrë deri në ditën e sotme kur e ka ditur që është i shkarkuar”, ka thënë për KOHËN Shpejtim Bulliqi.

Sipas tij, vendimi për shkarkimin e ish-drejtorit Mulliqi është marrë më 29 korrik dhe jo sot kur kanë ndodhur rrënimet e dy objekteve pa leje në Orllan.

“Dhe veprimi për rrënimin e atyre objekteve ka ndodhur tek pas ndryshimeve që i kam bërë brenda Drejtorisë së Inspektoratit. Pra, pas këtyre ndryshimeve janë marrë veprime konkrete të cilat u panë sot pas tetë muajve. Shkarkimi nuk lidhet asgjë me veprimin e sotëm, sepse shkarkimi nuk ka ndodhur sot, por më 29 korrik”, ka thënë ai.

Në një sqarim të Komunës së Podujevës është thënë se një nga arsyet kryesore për shkarkimin e Mulliqit është mosefikasiteti i punës së drejtorisë “duke lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës”. Ndërkaq në një përgjigje në maj, Mulliqi pati thënë se janë marrë 13 vendime për rrënime në këtë zonë.

Në qershor KOHA pati raportuar për tentimet e Komunës së Podujevës që të krijonte një zonë turistike pranë Liqenit të Batllavës, por që ishte refuzuar nga Ministria e Mjedisit ende pa dalë në shqyrtim publik. Ishin refuzuar edhe kërkesat për ndërtime të restoranteve e vilave.

19:25

Ish-drejtori i Inspektoratit në Podujevë ankohet për pengesa nga Bulliqi

Ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Podujevës, Besim Mulliqi, është ankuar për pengesa nga kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, në kryerjen e punës.

Në një shkrim në Facebook të martën, pasi vendimi për shkarkimin e tij u protokollua, Mulliqi ka thënë se është penguar për shkak të përpjekjeve për ta mbrojtur zonën e liqenit të Batllavës.

Ai ka pranuar se ka pasur mospajtime të thella me Bulliqin. E ka quajtur skandaloz vendimin për shkarkim.

“Të nderuar qytetarë të Podujevës, të dashur aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje! Ju njoftoj që sot pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës, kam pranuar në emailin zyrtar vendimin për shkarkim nga ZKA. Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekjeve të mia të vazhdueshme për ta mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm! Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë unë në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër ‘Ai’ në tentim për të më penguar! Prandaj, me vendim të kryetarit nuk do të vazhdoj të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz. Të gjithë juve qytetarë të Podujevës dhe aktivistë të Lëvizjes, ju falënderoj nga zemra për përkrahjen e vazhdueshme!” ka shkruar ai në Facebook, pak orë pasi KOHA raportoi për shkarkim.

Në një përgjigje për KOHËN, Mulliqi ka thënë se “ka pasur presion për ndërtimet në Batllavë dhe për ndërtime tjera brenda Komunës së Podujevës”.

Ai ka thënë se pos rrënimeve të së martës, ka edhe vendime tjera për rrënim.

Në qershor KOHA pati raportuar për tentimet e Komunës së Podujevës që të krijonte një zonë turistike pranë Liqenit të Batllavës, por që ishte refuzuar nga Ministria e Mjedisit ende pa dalë në shqyrtim publik. Ishin refuzuar edhe kërkesat për ndërtime të restoranteve e vilave.

KOHA ka dërguar edhe pyetje me shkrim në drejtim të kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

18:15

Shkarkohet drejtori i Inspektoratit në Podujevë

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi, është shkarkuar të martën nga detyra, merr vesh KOHA nga burimet e saj.

Zyrtarët komunalë të Podujevës nuk janë përgjigjur rreth kësaj çështjeje. Ndërkohë vetë drejtori Mulliqi ka thënë të mos jetë i njoftuar për një vendim të tillë.

“Për momentin nuk mund të deklarohem për arsye që nuk e di as unë saktë për atë ‘dokument’! Në momentin që ka diçka konkrete unë do ju njoftoj!”, i ka thënë KOHËS, Besnik Mulliqi.

Gjatë ditës së sotme, Inspektorati komunal i ka rrënuar dy objekte pa leje në fshatin Orllan dhe nuk dihet nëse kjo është bërë shkak i shkarkimit të tij.

Në qeverisjen e VV-së, prej vitit 2020, ky është drejtori i tretë i Inspektoratit.