Kosovë

Dështimi i Fushë-Kosovës në marrëveshjet me OJQ-të

 

“Marrëveshja me OJQ “Ndihmo edhe ti” nuk ishte përfunduar, pasi që për mangësitë e punëve në teren, anëtari i komisionit për mbikëqyrje të marrëveshjes nuk ka pranuar punët që nuk kanë qenë në përputhje me paramasën dhe parallogarinë. Përderisa për Marrëveshjen me OJQ ‘Kuwajti’ komuna nuk ka ofruar dëshmitë për obligimet që rrjedhin nga marrëveshja, përderisa pranimi teknik i objektit ishte në proces”, thekson raporti i Auditorit

Autoritetet komunale në Fushë-Kosovë nuk kanë zbatuar dy marrëveshje me organizata joqeveritare gjatë vitit 2021, nëpërmjet të cilave do të realizoheshin projekte që do t’ua përmirësonin kushtet e jetës qytetarëve. Njëri projekt që kishte për qëllim ndërtimin e 11 shtëpive për raste sociale në vlerë 130 mijë euro nuk kishte përfunduar, e në tjetrin për ndërtimin e Ambulancës në Sllatinë të Madhe në vlerë 124 mijë euro, kanë munguar dëshmitë.

Telashet në realizimin e këtyre projekteve që ishin në bashkëfinancim mes Komunës dhe OJQ-ve theksohen në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).