Arbëri

Lipjani përtej politikës, shembull i raporteve ndëretnike

Descriptive Text

Komuna e Lipjanit është e njohur për raporte të mira ndëretnike. Qytetarë të komunitetit serb ka edhe në fshatin Rubovc, të cilët vazhdojnë të kenë raporte mjaft të mira me shqiptarët. Një tjetër shembull është edhe fshati Kojskë

Në Komunën e Lipjanit jetojnë rreth një mijë serbë në lokalitete dhe lagje të ndryshme. Ndër vite kanë krijuar raporte fqinjësore me shqiptarë dhe vazhdojnë t’i mbajnë ato, pavarësisht zhvillimeve politike që mund të ndodhin midis shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Ata duan projekte infrastrukturore, në mënyrë që jetesa e tyre të bëhet edhe më e lehtë.

Kjo Komunë është e njohur për raporte të mira ndëretnike. Qytetarë të komunitetit serb ka edhe në fshatin Rubovc, të cilët vazhdojnë të kenë raporte mjaft të mira me shqiptarët. Njëri ndër ta është edhe Zoran Spasiq, i cili më së shumti merret me bujqësi. Ka treguar se së bashku me fqinjët që prej para luftës i kanë dërguar fëmijët në një objekt të përbashkët shkollor me komunitetin, ndërkohë së fundmi Komuna ua ka ndërtuar edhe një objekt të ri të përbashkët, por që për shkak të largësisë, komuniteti serb ka vendosur të mos i çojë fëmijët aty. Spasiq tregon se raportet me shqiptarët vazhdojnë të jenë të mira para luftës dhe pas luftës, por banorët kanë telashe me sistemin e rrjetit të ujësjellësit, i cili prej vitesh nuk ka arritur të futet në funksion, megjithëse gypat janë vendosur.

“Këtu sa i përket ujit kemi një problem të madh. Ujësjellësi është ndërtuar prej kohësh, por nuk funksionon dhe nuk kemi ujë për të pirë. Ne ia dalim të marrim ujë nga puset tona, andaj pjesa më e madhe është jocilësore, por nuk kemi mundësi të tjera. Pra ky është problem për momentin, ndryshe kemi rrjet të kanalizimit, rrugë të asfaltuar, shkollë, ambulancë që funksionojnë”, ka thënë Spasiq. Sipas tij, raportet me komunitetin vazhdojnë të jenë të mira dhe vazhdimisht e ndihmojnë njëri-tjetrin.

“Sa u përket marrëdhënieve ndërmjet dy komuniteteve, janë të shkëlqyera, nuk ka asnjë problem me ta, pasi janë kryesisht fqinjë të vjetër dhe ka shumë vjet që ne jetojmë bashkë. Këtu nuk ka asnjë problem, komunikojmë kur takohemi me ta, i ndihmojmë njëri-tjetrin, ua japim makineritë bujqësore, pasi këtu kryesisht merremi me bujqësi”, ka thënë më tej Spasiq. Ai ka bërë me dije se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë marrëveshje, derisa serbët e Kosovës janë të lirë dhe kanë raporte të mira fqinjësore me të gjithë.

“Sa i përket situatës ekonomike është shumë e vështirë, prandaj shteti serb dhe ai i Kosovës duhet të merren pak më shumë me popullsinë vendase për të ndihmuar, sepse deklaratat e tyre nga të dyja qeveritë po krijojnë disa tensione mes popullatës, që gjithçka të shkojë në dëm të një njeriu normal, të një njeriu të zakonshëm që dëshiron të jetojë këtu dhe që përpiqet t’i përballojë kohët e vështira. Sapo të fillojnë negociatat, te gjithë duhet të jenë të kënaqur dhe jo vetëm njëra palë”, ka shtuar Spasiq.

Po ashtu edhe Mila Mihajloviq, nga fshati Rubovc i Lipjanit, tregon për raportet ndëretnike në Komunën e Lipjanit.

“Nuk mendoj se Kosova dhe Serbia kanë shumë probleme me të cilat duhet të merren sa i përket dialogut politik, sepse perspektiva civile është me të vërtetë shumë singulare dhe mendoj se vetë politika dhe ky dialog është mjaft autentik, domethënë nuk mund të arsyetohet me politika perëndimore apo me politika të tjera me të cilat do të donim të kuptoheshim dhe prandaj besoj se duhet nisur nga rrënja e problemeve tona”, ka thënë Mihajloviq. Sipas saj, raportet ndëretnike në Lipjan duhet të jenë shembull edhe për vendet e tjera.

Image
“Sa u përket marrëdhënieve ndërmjet dy komuniteteve, janë të shkëlqyera, nuk ka asnjë problem me ta, pasi janë kryesisht fqinjë të vjetër dhe ka shumë vjet që ne jetojmë bashkë”, thotë Zoran Sasiq

“Banorët në këtë fshat kanë arritur të ruajnë marrëdhëniet korrekte që prej para luftës, por telashet janë për ekzistencë shkaku i papunësisë. Sa u përket investimeve këtu nuk kemi ujësjellës, ndërkaq projektet e tjera infrastrukturore nuk mungojnë. Sa i përket dialogut politik është shumë i rëndësishëm dhe ne si komunitet jemi iniciatorë për dialog dhe për të bërë përpjekje që të kontribuohet në përputhje me të drejtat e qytetarëve, të garantuara”, ka thënë Mihajloviq.

Rinor Murati, banor nga fshati Kojskë, njëherësh kuvendar nga radhët e LDK-së, ka thënë se raportet me serbët vazhdojnë të qëndrojnë të mira, ndërkohë Komuna ka investuar edhe në ndërtimin e objektit të ri shkollor për nxënësit e dy komuniteteve. “Por serbët për shkak të largësisë ende nuk i kanë sjellë fëmijët këtu. Po ashtu janë asfaltuar edhe rrugët e rrugicat gjithandej. Ndër kërkesat më kryesore është ndërtimi i infrastrukturës dhe gjatë këtij mandati nga deklarimet nga ekzekutivi kemi marrë përgjigje që do të angazhohen në përfundimin e infrastrukturës në tre fshatra. Kërkesat e banorëve janë përfundimi i infrastrukturës, duke përfshirë trotuaret dhe asfaltimin e rrugëve në pjesë të nevojshme dhe funksionalizimin e ujësjellësit”, ka thënë Murati.

Lulzim Qerimi, nënkryetar i Komunës së Lipjanit për komunitete, ka thënë se Komuna e Lipjanit është e njohur për raporte të mira ndëretnike.

“Siç e dini kemi probleme edhe në disa lokalitete të tjera, ne jemi duke punuar që sa më afër të jemi pranë qytetarëve. Tash jemi në sezonin e verës dhe sigurisht se ka mungesë të ujit. Jemi në kontakte të vazhdueshme me kompaninë e ujësjellësit. Sa i përket jetesës është shembull fshati Rubovc edhe komuniteti serb edhe shumica bashkëjetojnë së bashku dhe është si mostër dhe si model për të gjitha vendet në Kosovë”, ka thënë Qerimi. Sipas tij, Komuna e Lipjanit ka të themeluara edhe komitetet për komunitete, të cilat përfaqësohen nga përfaqësues të të gjitha komuniteteve në Lipjan. Qerimi po ashtu ka bërë me dije se edhe në disa lokalitete dhe lagje të qytetit të Lipjanit jetojnë qindra e mijëra banorë të komuniteteve të ndryshme, të cilët deri më tash nuk kanë pasur probleme ndëretnike.

Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.