Arbëri

Banorët të pakënaqur me mbylljen e Zyrës së Gjendjes Civile në Dumnicë

Banorët e fshatrave Dumnicë e Llaushë janë ankuar se Komuna e Podujevës ua ka mbyllur Zyrën e Gjendjes Civile, nga ku janë pajisur me dokumente. Ata thonë se për çfarëdo dokumenti, tash detyrohen të shkojnë në objektin e administratës në Podujevës. E kjo thonë se po u shkakton shpenzime e humbje kohe

Banorët e fshatrave Dumnicë dhe Llaushë të Podujevës janë shprehur të pakënaqur me vendimin e zyrtarëve komunalë për mbylljen e Zyrës së Gjendjes Civile.

Ata thonë se kjo zyrë ka funksionuar për gati 80 vjet në fshatin Dumnicë dhe ka shërbyer për pesë fshatra.

Kohët e fundit Zyra e Gjendjes Civile ka funksionuar në objektin që ishte ndërtuar për ambulancë. Por, pas rifunksionalizimit të ambulancës, Komuna e Podujevës e ka mbyllur atë.

“Mbyllja e kësaj zyre është bërë në 2022, u ndërtua kjo ambulanca edhe tash e kanë mbyllur Zyrën e Gjendjes Civile. Ne jemi 5 fshatra, 5 fshatra me shumë banorë, jemi pa Zyre të Vendit, edhe ne do të kishim dëshirë që bile një zyre me na u hap. Ne prej që e mbajmë mend, qe 70-80 vjet sigurt, ka ekzistuar ajo. Banorët janë duke kërkuar zyre të vendit në Dumnicë”, ka deklaruar përfaqësues i fshatit Dumnicë e Poshtme, Kadri Aliu.

Banorët ankohen se tash në kohën e pushimeve ka shumë tollovi në objektin e administratës komunale në Podujevës dhe për një dokument, përveç rrugës, duhet edhe të presin shumë.

“Çika e vëllait qe tri ditë ka shkuar në Gjermani, ma ka kërkuar një certifikatë të lindjes. Kam shkuar në Podujevë, s’e kemi gjetur askënd. Kur u nis për Gjermani, ma ka dërguar përmes telefonit. Nuk di të punoj me të, t’i shkarkoj e ngarkoj këto gjëra. Tash më duhet të shkoj në Komunë, e aty mundet me qenë shumë tollovi e madhe. Dita e tretë është që mua më duhet të vrapoj pas një certifikate të lindjes”, ka thënë Hysen Zymeri, banor i fshatit Llaushë.

Në Komunën e Podujevës kanë bërë të ditur se gjatë marsit e kanë pranuar një rekomandim nga Ministria e Brendshme për të parë mundësinë e mbylljes së këtyre zyrave nëpër fshatra.

“Përderisa objekti ka qenë i destinuar për ambulancë, patjetër është dashtë që të bëhet mbyllja e kësaj zyre të vendit në Dumnicë. Gjithsesi, shqyrtimi i një mundësie për t’u ndërtuar një objekt tjetër që do të shërbejë si zyre e gjendjes civile nuk mund të bëhet për shkak që duhet me u mbyll të gjitha zyrat e vendit të tjera dhe qytetarët obligohen që shërbimet për dokumente civile t’i pranojnë drejtpërdrejt në Komunë ose edhe përmes shërbimit me e-kioska që janë në disa pika në Komunën e Podujevës”, është shprehur Antoneta Ejupi, drejtoreshë e Administratës në Podujevë.

Ajo theksoi se Udhëzimi Administrativ 01/2022 për dokumentet e gjendjes civile e ka bërë lehtësimin e procedurave të nxjerrjes së dokumenteve civile.

Por banorët thonë se ata më në moshë nuk dinë se si të pajisen me dokumente të gjendjes civile në mënyra të tjera, pos asaj me prezencë fizike në objektin e administratës.