Arbëri

Komuna e Prizrenit fton prizrenasit t’i lirojnë parkingjet për bashkatdhetarët

Komuna e Prizrenit ka njoftuar të martën se parkingjet në rrugën “Ankara” dhe “Nuredin Shala” duhet të lirohen deri më 6 korrik (e mërkurë) në mënyrë vullnetare, ose sipas njoftimit, tërheqja e mjeteve do të bëhet me “merimangë”.

Sipas njoftimit të Komunës, kjo iniciativë është ndërmarrë me qëllim që t’iu mundësohet bashkatdhetarëve t’i shfrytëzojnë parkingjet në këto lokacione.

“Njoftohet të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit që shfrytëzojnë më gjatë se një ditë parkingun prapa Shtëpisë së Bardhë, rruga ‘Ankara’, dhe parkingun përgjatë rrugës ‘Nuredin Shala’ të tërheqin automjetet e tyre në mënyrë vullnetare nga parkingjet në fjalë deri më datën 06.07.2022, ose do të detyrohemi t’i tërheqim ato me mjete bartëse – merimangë – me ç’rast barrën e shpenzimit të transportit do ta bartin vetë palët gjegjëse”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Kjo iniciativë do të jetë në fuqi nga 6 korriku deri më 31 gusht.