Arbëri

Mbi 30 shtëpi në Brestovik të Pejës, tash e një javë pa ujë

Descriptive Text

Ditët me vapë, banorët e fshatit Brestovik të Pejës, po i kalojnë pa ujë të pijes. Siç thonë ata, janë bërë më shumë se një javë prej që kanë mungesë të ujit. Ata kanë treguar se kjo situatë përsëritet çdo vit dhe se asnjëherë nuk kanë ujë te mjaftueshëm. Për këtë problem të banorëve, kompania rajonale e ujësjellësit, “Hidrodrini” ka thënë se gjatë ditës ka sanuar problemin e pompës dhe se furnizimi me ujë është rikthyer. Ata e kanë fajësuar furnizimin me rrymë si shkak të prishjes së pompës furnizuese

Shishe, bidonë e enë të mëdha me ujë janë vënë rreth e qark shtëpisë së Mentor Osmanit, në Brestovik të Pejës, familja 13-anëtarëshe e të cilit nuk ka ujë tash e një javë. Ata janë detyruar që të mbushin ujë në një lagje tjetër, që nuk ka probleme me furnizim.

Osmani tregon për gjendjen kaotike që mbretëron në shtëpinë e tij, si pasojë e mungesës së ujit.

“Në mbrëmje vjen një-dy orë dhe krejt ngapak. Nuk po ka njeriu as t’i lajë enët, as për vete të pastrohet. Jemi kallaballëk. Katastrofë. Shkojmë nëpër komshi, tjetrën rrugë, për të marrë ujë. Të lejojnë një herë, dy herë për të mbushur ujë, se edhe ata kanë familje, po edhe ata mund të të thonë: ‘Më fal, por nuk bën’”, ka thënë Osmani.

Hall të njëjtë me atë të Osmanit e ndajnë përmbi 30 shtëpi fqinje. Banorët e tyre tregojnë se si në rrugën tjetër, nga ku edhe kanë gjetur zgjidhje këto ditë, ka ujë.

“Ujë nuk ka qe gjashtë vjet. Ka ujë, por ta lëshon 24 orë apo ta lëshon brenda ditës dhe ta ndalin. Unë nuk po di se si, janë vendosur gypa të rinj, janë ngjitur pompa të reja e të mos ketë ujë, marre! Për ujë të pijshëm, ne bartim prej shtëpive të tjera. Interesante është si të zbresësh prej rrugës, krejt kanë ujë, veç këtu nuk ka. Nuk po e di si, për çka. Ku është problemi? Problemi po zgjidhet, por uji nuk po vjen”, ka thënë banori tjetër, Ilinor Berisha.

Ankesa të njëjta ka shprehur edhe Ramë Beqiri, e cila është pjesë e një familjeje 10-anëtarëshe.

“Më përpara do të kisha ndenjur pa bukë, se pa ujë. I kam krejt fëmijët e vegjël, këta dëshirojnë të pastrohen. Njeriu kur vjen prej pune, duhet të pastrohet. Pa ujë nuk rrihet. Ma shumë po rrimë pa ujë, se me ujë. Shkon 10 ditë pa ujë. Po duhet të dalim në komshi për të marrë”, ka thënë Beqiri.

Kompania rajonale e ujësjellësit, “Hidrodrini”, thotë ta kenë sanuar problemin dhe se furnizimi me ujë në këtë lagje është rikthyer gjatë së enjtes.

“Problematika e ndërprerjes për t’u bërë rast recidiv, qëndron te problemet që shfaqen në pompën furnizuese, e cila funksionon me energji elektrike dhe si pasojë e problemeve energjetike, pompa pëson prishje, të cilat çojnë në ndërprerje të furnizimit me ujë. Për shkak të kësaj çështjeje, ka kohë (disa javë) që KRU ‘Hidrodrini’ dërgon ekipe të terrenit në atë pjesë, në baza ditore, në mënyrë që të jenë sa më efektiv në rast të imponimit për reagim. Rasti i fundit, para këtij të sotshmit, siç e kemi raportuar edhe në media tjera, ka qenë shkëputja e një kablloje elektrike, e cila furnizon pompat e për çfarë rasti po hulumtohet nga ekipet”, ka thënë Zyra për media e kësaj kompanie, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Të njoftuar me problemin e banorëve janë edhe në Komunën e Pejës.

Zëdhënësi i kësaj komune, Ferat Zekaj, thotë të kenë ndërmjetësuar me kompaninë “Hidrodrini” për t’u dalë në ndihmë atyre.

“Për herën e fundit, e di që e kanë pasur një problem me pompë. Dje e kemi marrë një garancion prej ‘Hidrodrin-it” që do ta ndërrojnë atë pompë. Nuk e di sot a është rregulluar, po nëse nuk kemi pasur ankesa sot, besoj që ‘Hidrodrini’ e ka rregulluar dhe ndërruar atë pompë që ka pasur problem. Jemi munduar t’ju qëndrojmë afër dhe mundohemi t’ju qëndrojmë afër, por prishjet ndodhin, është normale. Shpesh u ka ndodhur, nuk kam shumë ankesa, por normal që edhe një gjysmë ore uji të ndalet, është problem”, ka thënë Zekaj.

Për këtë ndërprerje të ujit, “Hidrodrini” nuk i ka njoftuar qytetarët në faqen zyrtare, siç bën zakonisht.