Kosovë

Bulliqi i pret në takim fermerët e dëmtuar nga breshri

 

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka kërkuar nga bujqit të cilëve iu dëmtuan kulturat bujqësore nga breshri që ta paraqesin gjendjen reale të atyre dëmeve. Në një takim me fermerët, Bulliqi, ka kërkuar nga ta që të vazhdojnë punën dhe të mos dekurajohen nga këto dëme.

“Në sallën e Kuvendit kam pritur në takim disa prej fermerëve të dëmtuar nga breshri dhe stuhia që ka goditur Podujevën para dy ditësh. Atyre iu kërkova që të paraqesin gjendjen reale të dëmeve të shkaktuara në kulturat bujqësore dhe si komunë të gjitha kërkesat e tyre do t’i drejtojmë në instancat qendrore për kompensim të dëmit”, ka shkruar Bulliqi në Facebook. “Fermerëve tanë iu kërkova që të mos dekurajohen e dëshprohen nga kjo fatkeqësi natyrore, e cila ka dëmtuar të mbjellat e tyre, por të vazhdojnë të punojnë me përkushtim e me vullnet sepse edhe institucionet e shtetit me të gjitha kapacitetet do t’u qëndrojnë pranë”.