Arbëri

Qytetarët e avokatët ankohen për zvarritjen e lëndëve në Gjykatën e Podujevës

Për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve në Podujevë, secili prej tyre, që merret me lëndë civile, ka si barrë 1.300 lëndë. Qytetarët dhe avokatët në këtë komunë janë ankuar për zvarritjen e lëndëve me dekada. Gjykata Themelore e Prishtinës ka premtuar pesë gjyqtarë të rinj për Degën në Podujevë

Ismet Sheqiri është duke pritur që nga viti 2004 për zgjidhjen e një kontesti pronësor në Gjykatën Themelore të Prishtinës - Dega në Podujevë, por deri tash ky institucion që është i thirrur për të ndarë drejtësi nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me këtë rast.

Ai thotë se ka bërë disa herë kërkesa e parashtresa, por ende pa ndonjë rezultat.
E këto vonesa Ismet Sheqiri thotë se po i shkaktojnë telashe shtesë.

“Po na shkaktojnë telashe e probleme ndërfqinjësore se është prona kontestuese, nuk merren vendime, nuk zbatohen ligjet, e kështu me radhë. Munden të vijnë deri te konfliktet verbale, fizike, na shkaktojnë telashe psikike, të gjitha këto i kemi cekur, edhe kot”, u shpreh Sheqiri.

Për shkak të zvarritjeve të lëndëve janë ankuar edhe avokatët në këtë komunë.
Ata thonë se numri i vogël i gjyqtarëve ka bërë që të shkaktohen vonesa në zgjidhjen e lëndëve në këtë gjykatë.

“Problemi më i madh i këtyre është që këto lëndë në Gjykatë shumë zvarriten, mund të them dhjetë vjet, ka lëndë nga lëmia civile te pronat, kur është fjala. Pse është kjo ngarkesë e lëndëve kështu dhe pse zvarriten këto lëndë, është se në Gjykatë ka shumë pak gjyqtarë”, ka thënë avokati Muharrem Sadiku.

Avokati tjetër, Hasan Përvetica, thotë se është grumbulluar numër i madh i lëndëve.

“Këtu zvarriten diku rreth pesë vjet, duke përfshirë edhe pjesën tjetër në Gjykatë të Apelit, çka do të thotë se një lëndë për t’u kthyer në procedurë të rregullt nuk ka mundësi para 10 vjetëve. Kështu që është grumbulluar numër shumë i madh i lëndëve dhe kjo po na paraqet problem edhe neve si avokatë, për arsye se nuk po jemi në gjendje asnjëherë palëve-klientëve për t’iu treguar kur mund të përfundojë lënda”, tha ai.

Sipas tyre, duke llogaritur numrin e banorëve në këtë komunë dhe numrin e lëndëve që janë në punë, kjo gjykatë duhet të ketë së paku 12 deri në 13 gjyqtarë.

Zyrtarja për informim publik në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, në një përgjigje me shkrim ka thënë se Dega në Podujevë që nga viti 2021 ka mbetur me 5 gjyqtarë, 3 për lëndë civile dhe 2 për lëndë penale.

“Vonesa mund të ketë në lëndët e lëmisë civile, ku gjyqtarët janë të mbingarkuar me lëndë, secili nga gjyqtarët në lëminë civile ka më shumë se 1300 lëndë, ndërsa numri i lëndëve në ardhje është shumë i madh. Përkundër punës së madhe që bëjnë gjyqtarët e kësaj dege, të cilët janë gjyqtarët më efikas në nivel të gjykatave, kjo duke u bazuar në raportet mujore dhe vjetore të punës së tyre”, ka thënë Gashi.

Ajo ka theksuar se shumë shpejt kësaj dege do t’i shtohen edhe 5 gjyqtarë të rinj.