Kosovë

Komuna e Prizrenit me numër të vogël përkthyesish, ankohen komunitetet

Çështjet që i brengosin komunitetet joshumicë lidhur me përdorimin e gjuhëve të tyre në Komunën e Prizrenit muaj më parë janë paraqitur para autoriteteve komunale nga anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete, që funksionon në kuadër të Zyrës së presidentit
 

Përkthimi i dokumenteve zyrtare në Komunën e Prizrenit sipas përfaqësuesve nga radhët e komuniteteve joshumicë nuk po realizohet me efikasitetin e duhur. Sipas tyre, kjo po e vështirëson komunikimin me administratën lokale, por edhe shqyrtimin e çështjeve në Kuvendin e Komunës. Zyrtarët përgjegjës kanë pohuar se po i shqyrtojnë mundësitë për angazhimin e përkthyesve nga jashtë

Numri i vogël i përkthyesve në Komunën e Prizrenit po krijon telashe për komunitetet joshumicë. Sipas tyre, informimi lidhur me punët që kryhen nga administrata lokale, sikurse edhe komunikimi i dyanshëm, po realizohen me vështirësi.

Shqetësimet lidhur me këtë çështje janë adresuar para drejtorit të administratës komunale gjatë mbledhjes së fundit të Komitetit për Komunitete. Kryesuesi i këtij komiteti, Ertan Simitçi, ka vlerësuar se Komuna e Prizrenit ka shumë vjet që po ballafaqohet me probleme në shërbimin e përkthimit, ani se deri tani kanë pasur mirëkuptim për mangësitë.