Arbëri

Lajçi: S’është vërtetuar se helmimet në Deçan ndodhën nga uji i pijshëm

Këshilltari i Këshillit Ndërministror për Ujëra në Qeverinë e Kosovës, Afrim Lajçi, ka thënë se nuk është vërtetuar nëse helmimi i dhjetëra qytetarëve të Deçanit vitin e kaluar ka ndodhur për shkak të ujit të pijes.

Lajçi ka thënë se është informuar për shqetësimet e fundit të banorëve të Deçanit për ujin e pijshëm meqë ende s’ka asnjë rezultat se çka shkaktoi helmimin e kaluar. I ftuar në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, Lajçi ka theksuar se përqindja e popullatës që furnizohet nga sistemet publike të ujësjellësit në Kosovë është relativisht e lartë e që pjesa më e madhe e këtyre sistemeve menaxhohen nga kompanitë rajonale të ujit.

“Rreth 80 për qind të sistemeve menaxhohen nga kompanitë rajonale të ujit. Politikë e Qeverisë së Kosovës është që të gjitha sistemet të futen nën menaxhim të kompanive rajonale të ujit si mënyrë më e mirë për qëndrueshmërinë afatgjate të këtyre sistemeve”, ka thënë ai.

Sipas Lajçit, ekziston mundësia e ndotjes së ujit. Ai thotë se mund të jetë si rezultat i punimeve në riparimet e gypave të ujësjellësit me ç’rast futet papastërtia në sistem, por thekson se nuk ka vend për alarm sepse resurset menaxhohen mirë.

“Ne si Kosovë nuk kemi resurse të shumta nëse krahasohemi me Shqipërinë dhe vendet tjera të rajonit, janë modeste që imponojnë nevojën e menaxhimit të mirë të këtyre resurseve”, ka thënë ai.

Adem Lushaj, aktivist i shoqërisë civile ka arsyetuar shqetësimin e banorëve të Deçanit, pasi thotë se institucionet shëndetësore nuk kanë njoftuar nëse duhet të përdoret uji i pijshëm ose jo.

“Ka pasur raste që qytetarët të kenë simptoma të njëjta si vitin e kaluar, diarre, të vjella, e temperaturë dhe menjëherë na shkon mendja te viti i kaluar që janë helmuar dhjetëra qytetarë. Ky është shqetësimi që po vjen pasi IKSHPK-ja apo Ministria e Shëndetësisë ende nuk kanë dalë të thonë nëse duhet ta përdorim ujin për pije apo mos ta përdorim. Janë shqetësime të arsyeshme, por për momentin nuk mund të themi se ka helmime nga uji”, ka thënë ai.