Arbëri

Turbullohet uji në Deçan, IKSHPK-ja merr mostra

Descriptive Text

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga Instituti i Shëndetit Publik dhe me kërkesë të ndërmarrjes regjionale “Hidro-Drini” janë marrë mostra të ujit të pijes nga disa fshatra të Deçanit, nisur nga shqetësimi se uji është turbulluar si pasojë e të reshurave.

MSH-ja përmes një postimi në Facebook ka thënë se janë bërë analizat fiziko-kimike dhe të hënën dhe të martën do t’i marrin edhe analizat bakteriologjike të këtyre mostrave.

“Në koordinim me ministrin e pushtetit lokal - Elbert Krasniqi, Zëvendësministrja Dafina Gexha Bunjaku ka komunikuar me kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, për t’u informuar për nga më afër. Gjithashtu, MSh është në kontakt të vazhdueshëm edhe me IKSHPK-në edhe me Zyrën rajonale të IKSHPK-së në Pejë dhe me Ministrinë e Ekonomisë - dikasterin përkatës qeveritar, që i mbulon ndërmarrjet e ujësjellësve”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nuk ka vend për shqetësim dhe se janë në komunikim të vazhdueshëm me instancat përkatëse.

Është bërë e ditur se bashkë me përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, zyrtarë të MSh-së do të jenë në Pejë, te qendra rajonale e IKSHPK-së dhe në Deçan, ku do të takohet me strukturat e pushtetit lokal dhe drejtues të QKMF-së atje.