Arbëri

Opozita e konsideron të paligjshme Rregulloren për subvencionimin e energjisë në Obiliq

Descriptive Text

Një dokument të tillë për subvencionimin e energjisë elektrike për banorët, Komuna e Obiliqit e kishte miratuar edhe në mandatin e kaluar, por atëherë ishte vlerësuar i kundërligjshëm nga niveli qendror. Opozita thotë se kjo çështje nuk është kompetencë e Kuvendit Komunal, por e Qeverisë dhe e ZRRE-së. Sipas partive opozitare, Komuna po e bën këtë veprim vetëm pse nuk po di si t’i shpenzojë mjetet. Komuna nuk ka kthyer përgjigje tash e 10 ditë

Opozita në Obiliq po e konsideron përzierje të kompetencave miratimin e Rregullores për subvencionimin e energjisë elektrike dhe caktimin e kuotës më të ulët për çmimin e energjisë në zonën e rrezikuar mjedisore.

Një rregullore të tillë, sipas opozitarëve, Kuvendi Komunal e kishte miratuar edhe në mandatin e kaluar, por ajo u kthye e kundërligjshme nga niveli qendror.

Pak ndryshime thonë të jenë bërë edhe në dokumentin e tanishëm.

“Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal është miratuar një rregullore, e cila nuk ka ndryshime substanciale nga rregullorja që paraprakisht është shpallur si joligjore nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, respektivisht nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Rregullorja fillestare thoshte se Qeveria në bashkëpunim me Komunën dhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) e siguron një kuotë më të lirë të rrymës elektrike, ashtu siç është e paraparë me Ligjin për Obiliqin”, ka theksuar Sami Ahmeti, shef i Grupit të këshilltarëve të LVV-së në Obiliq.

Në rregulloren e re, sipas tij, thuhet që Komuna nga mjetet e tantiemës që i takojnë me Ligjin për Obiliqin do të ndajë një pjesë që të subvencionojë rrymën elektrike për amvisëritë e qytetit të Obiliqit.

“Kjo mendojmë ne, prapë bie ndesh me Ligjin për Obiliqin, në të cilin edhe bazohen, sepse neni 9 i këtij ligji thotë që paratë e tantiemës shpenzohen kryesisht në mbrojtje të ambientit, në shëndetësi dhe në arsim. Ne mendojmë që kjo tendencë e Komunës është për shkak të paaftësisë së saj për të harxhuar buxhetin, kur dihet që në tre vjetët e fundit ka pasur suficit rreth 2 milionë euro”, është shprehur këshilltari Ahmeti. “Ligji për Obiliqin e specifikon shumë qartë se kush është subjekti i cili e siguron këtë kuotë më të lirë të rrymës. Neni 8 i Ligjit për Obiliqin thekson se Qeveria në bashkëpunim me ZRRE-në, jo Komuna, siguron një kuotë më të lirë për banorët e Komunës së Obiliqit ose për banorët e zonës së rrezikuar”.

Se ka përzierje të kompetencave ka thënë edhe këshilltari i AAK-së, Xhelal Krasniqi.

“Ne si AAK jemi pro respektimit të Ligjit për Obiliqin dhe të gjitha të mirave që dalin nga ai ligj për qytetarët e Komunës sonë. Sa i përket Rregullores, më 2019 MAPL-ja e ka kthyer mbrapsht, sepse ka konstatuar që është bërë shkelje e nenit 8 dhe 9 të Ligjit për Obiliqin. Në nenin 8 thotë decidivisht se Qeveria së bashku me ZRRE-në sigurojnë një kuotë më të ulët për qytetarët e Obiliqit, ose zonën e rrezikuar të Obiliqit”, ka thënë Xhelal Krasniqi. “Kjo ishte arsyeja pse ne si opozitë insistuam që të bëhet më shumë presion mbi Qeverinë dhe ZRRE-në që ata, sipas Ligjit, të dalin me një kuotë më të ulët për energjinë elektrike për qytetarët e Obiliqit”.

Zyrtarët opozitarë thonë se kur kanë kërkuar sqarim nga ekzekutivi nëse paraprakisht kanë marrë pëlqim nga ministritë përkatëse për këtë rregullore, sipas tyre u është thënë “vetëm po e provojmë”.

Për këtë KOHA është duke pritur përgjigje nga Komuna e Obiliqit që nga 29 prilli.

Ministria e Ekonomisë për këtë çështje përgjegjësinë e ka bartur te Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

“Pyetjet tuaja duhet t’i drejtoni në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, pasi kërkesat janë nën kompetencat e ZRRE-së, si organ i pavarur, i cili ka për detyrë të rregullojë aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, përfshirë energjinë elektrike, ngrohjen qendrore dhe gazin, në pajtim me detyrimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Divizionit për Komunikim me Publikun të Ministrisë së Ekonomisë.

Në Rregulloren e miratuar të Obiliqit thuhet se me këtë dokument përcaktohen kushtet, kriteret dhe procedurat të cilat i mundësojnë Komunës së Obiliqit subvencionimin e energjisë elektrike dhe caktimin e një kuote më të ulët të çmimit të energjisë elektrike.

Në nenin 3 përcaktohet ndarja buxhetore, ku thuhet se Qeveria e ndan një shumë të caktuar të mjeteve buxhetore duke u bazuar në Ligjin për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe një pjesë e kësaj shume destinohet për subvencionimin e energjisë elektrike.

“Komuna e Obiliqit për realizimin e subvencionimit të energjisë elektrike për banorët e Komunës së Obiliqit bashkëpunon me ZRRE-Zyra e Rregullatorit të Energjisë, KEDS-in sh.a.-Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike dhe KESCO sh.a.-Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike”, thuhet në nenin 4 të kësaj rregulloreje.

Opozita në këtë komunë nuk pret që kjo rregullore të jetësohet as tash.