Arbëri

Projektet milionëshe në Shtime pa mbikëqyrje institucionale

Disa prej tyre, ani pse janë finalizuar brenda afateve kohore, kanë filluar të demolohen shkaku i cilësisë së dobët të punimeve. Kjo ka nxitur reagime nga ish-udhëheqësit e luftës së UÇK-së duke kritikuar institucionet lokale e ato qendrore për mosmbikëqyrje të punimeve

Zvarritja dhe cilësia e dobët e punimeve në disa projekte memoriale dhe komplekse në Komunën e Shtimes kanë nxitur një varg reagimesh nga shoqatat e dala nga lufta.

Ende pa u bërë një vit nga fillimi i punimeve në Kompleksin e Martirëve në fshatin Rancë, ato kanë nisur të demolohen. Për këtë projekt Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve pati investuar rreth 30 mijë euro.

Kompleksi Memorial i Reçakut që nga paslufta ende nuk ka përfunduar, ani pse aty janë investuar mbi 2 milionë euro nga niveli qendror.

Gjatë viteve të fundit ngjashëm është vepruar edhe në kazermën e UÇK-së në fshatin Pjetërshticë, pasi aty përveç cilësisë së dobët të punimeve, kazerma nuk arriti të bëhej gati më 5 maj, në përvjetorin e themelimit të kësaj kazerme.

“Nuk është mirë të merren paratë dhe të luhet me këto memoriale, këto nuk janë shtëpi private, këto duhet të qëndrojnë së paku 300 vjet. Duhet t’u qëndrojnë gati firmave, shembull Komuna duhet t’i përcjellë, atje institucionet duhet t’i përcjellin. Jo të paguhen dhe mos të punohet me kualitet”, ka deklaruar Ramiz Qeriqi, ish-komandant i Batalionit të Dytë “Ruzhdi Salihu”.

Rreth punimeve të dobëta në memoriale e në komplekse ka reaguar edhe kryetari i Shoqatës së Dëshmorëve në Shtime, Muhamet Bilalli.

“Ne jemi shumë të shqetësuar jo vetëm për kompleksin në Rancë e Reçak, por për shumë komplekse duke e ditur se si po shkon puna e tenderëve se si po jepen edhe ne nuk po kemi qasje aty. Me të gjitha komplekset memoriale në Kosovë nuk jemi të kënaqur me asnjë dhe u kemi bërë thirrje Agjencisë edhe ministrive të mëhershme dhe këtyre ministrive që të marrin masa që të ndërmarrin diçka”, ka pohuar Muhamet Bilalli, kryetar i Shoqatës se Dëshmorëve në Shtime.

Bislim Zogaj, drejtor në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës ka thënë se zvarritja e projektit në Reçak ka ndodhur shkaku i mungesës së projekteve ideore.

“Sa i përket fshatit Rancë, projekti si projekt ka përfunduar, siç ka qenë i paraparë projekti, por në hyrje nuk ka qenë e paraparë hyrja me shkallë, ndërkohë punëkryesi në mënyrë vullnetare i pati ndërtuar, por ka qenë dimër dhe janë dëmtuar nga ngricat, ndërkohë duhet një intervenim emergjent aty te hyrja”, ka deklaruar Zogaj.

Edhe banorët në këto lokalitete kanë kërkuar nga institucionet lokale e ato qendrore që sa më shpejt t’i finalizojnë këto projekte.