Arbëri

MAPL-ja e konfirmon ligjshmërinë e Hartës Zonale të Podujevës

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e ka konfirmuar ligjshmërinë e Hartës Zonale të Komunës së Podujevës, ka konfirmuar faqja e Komunës në Facebook.

“Harta Zonale është dokumenti më i rëndësishëm që rregullon shfrytëzimin e hapësirës për territorin e komunës. Procesi i hartimit të Hartës Zonale është miratuar javën e kaluar nga Kuvendi Komunal, gjithashtu ligjshmëria e Hartës Zonale është konfirmuar edhe nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL). Komuna e Podujevës tani ka Hartën Zonale e cila definon saktë secilën pjesë, zonë, lloj dhe destinim për shfrytëzimin e hapësirës së saj”, thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës.

Në njoftim thuhet se duke pasur parasysh peshën dhe ndikimin e dokumentit, drejtoria përkatëse ka mbajtur takime me qytetarë të zonave të ndryshme ku është diskutuar dhe punuar bashkarisht në hartimin e dokumentit. Megjithatë, ndryshe ishin shprehur zyrtarët opozitarë të LDK-së gjatë seancës kur është miratuar ky dokument. Shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Valon Demolli, është shprehur se ky dokument ka ardhur pa konsultim publik, pa takim me qytetarë e me grupe të interesit.

“Në qeverisjen e LDK-së ka nisur hartimi i dokumentit më të rëndësishëm siç është Harta Zonale. Me ardhjen e Vetëvendosjes në ekzekutiv ka ndodhur edhe plotësim-ndryshimi i këtij dokumenti në vitin 2021, i cili dokument është përcjell me paqartësi profesionale dhe ligjore, dhe si i tillë ka dështuar të kalojë në Kuvendin Komunal të vitit 2021”, kishte thënë Valon Demolli. “Edhe sot ky dokument na vjen për votim pa konsultim publik, pa takim me qytetarët, pa takim me grupet e interesit ashtu siç e parasheh edhe baza ligjore. Çka përmban ky dokument ndryshe me atë të mëparshmin? Pse nuk është publik versioni i fundit i Hartës zonale për qytetarët, si dhe sa do të jetë koeficienti i ndërtimit nëpër lagjet e qytetit?”

Drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Leotrim Krasniqi, kishte deklaruar se në dokumentin e fundit nuk ka ndryshime rrënjësore.

“Në fakt drafti të cilin tashmë ju e keni, ka aspekte më të mira. Cilat janë këto? Është zgjeruar zona urbane. Pra, kufiri i zonës urbane është zgjeruar në kuadër të zonës ndërtimore. Njashtu, pjesa tjetër e magjistrales Prishtinë-Podujevë që përfshin komunën tonë ka pasur aspekte të zgjerimit që mund t’iu shërbejë pjesëve të tregtisë ose të shfrytëzimit që mund të jetë edhe banim”, ka theksuar Leotrim Krasniqi.

Sipas tij, pjesa e koeficientit ka qenë më ndryshe në draftin paraprak.

“Mirëpo, në bazë të normave teknike të planifikimit hapësinor, indeksi i sipërfaqes së ndërtuar në kuadër të popullsisë që ka komuna jonë është 3.0. Nga kjo mund të jetë edhe një pjesë shtesë që shkon me bonus 5.0. Bonusi përndryshe është një pjesë e stimujve që u jepet ndërtuesve ose investitorëve, të cilët duan të zgjerohen në kuadër të sipërfaqes së ndërtuar”, ishte shprehur drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit.

Kur ishte hedhur në votim, pro Hartës Zonale kishin votuar vetëm këshilltarët e LVV-së dhe PDK-së, kurse dy partitë opozitare LDK e AAK kanë abstenuar.