Arbëri

Ndërrimi i shpeshtë i mësuesve, bojkotohet mësimi në Marali të Malishevës

Ndërrimi i shpeshtë i mësuesve në shkollën “Ruzhdi Xhyliqi” në Marali të Malishevës ka nxitur pakënaqësi te prindërit e nxënësve të klasës së dytë. Në shenjë proteste, ata sot nuk i kanë dërguar fëmijët në shkollë. Teksa bënë të ditur se për dy vjet nxënësve u janë ndërruar nëntë mësues, paralajmëruan se bojkoti i tyre do të vazhdojë. E veprimi i tyre u quajt i papranueshëm nga Drejtoria e Arsimit

Dy nxënës po e mbajnë mësimin pa shokët e klasës. Arsye është mosdërgimi në shkollë i fëmijëve të tjerë nga prindërit e tyre.

Vendimin e mori Këshilli i Prindërve të klasës së dytë në shkollën “Ruzhdi Xhyliqi” në Marali të Malishevës, në shenjë proteste ndaj ndërrimit të shpeshtë të mësuesve.

Për dy vjet, si thonë ata, klasës i janë ndërruar nëntë mësimdhënës, gjë që shkaktoi ngecje në mësimnxënie.

“Çdo ndërrim ka ndikuar te fëmija im, se ka filluar të përtojë të shkruajë, të lexojë. Tamam kur fëmija mësohej me një mësuese, vinte mësuesi tjetër. Derisa të vendoset me ardhë një mësues që ta mbajë mësimin deri në klasën e pestë, jo të ndërrohen çdo ditë mësueset, të mbetet fëmija rrugëve, nuk do ta lejoj”, ka thënë Besarta Xhyliqi.

Drejtoria e shkollës mohon të jenë ndërruar nëntë mësues për klasën e dytë. Thotë të kenë qenë katër.

Megjithatë, e pranojnë se ndërrimet kanë ndikuar në procesin e mësimnxënies te fëmijët.

“Nuk flas për alibi, por flas për gjendjen si po shihet, çdo mësimdhënës që ka shkuar ka pasur arsye të fortë, qoftë bashkim familjar, qoftë vizë gjermane, qoftë martesë, edhe kjo ka çuar deri te ndërrimi i mësimdhënësve”, ka thënë Refki Hoxha, përgjegjës i shkollës.

Prindërit thanë t’u jetë sosur durimi, pasi javën tjetër pritet të vijë mësuesi i ri. Paralajmëruan se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, nëse mësuesja e tanishme nuk qëndron deri në qershor.

Mirëpo, mësuesja Afërdita Krasniqi ka kërkuar vetë transferimin në një shkollë tjetër. Prapa kamerës tha se do të shkojë në një shkollë më afër vendbanimit të saj.

Kërkesën e prindërve nuk do të mundet ta përmbushë Drejtoria e Arsimit. Por, në këtë institucion zotohen se ky do të jetë ndërrimi i fundit.

“Duke e përjashtuar vetëm mundësinë e lëvizjeve të lehonisë, përndryshe sa i përket mundësisë dhe kompetencave të Drejtorisë së Arsimit nuk do të ketë më lëvizje për atë klasë, domethënë nuk do të ndodhë transfer, as nuk do të ndodhë ndonjë çështje tjetër që të ndryshohet apo të ndërrohet mësuesi për nxënësit e klasës së dytë, normalisht që ligjore dhe në suaza të ligjit është diçka që ne nuk guxojmë me ndalu, as mos me zëvendësu në pushim të lehonisë”, ka thënë drejtoresha Arbëresha Krasniqi.

Krasniqi e ka quajtur të papranueshme veprimin e prindërve. Ka kërkuar nga ta që t’i dërgojnë fëmijët në shkollë dhe për çdo pakënaqësi të bashkëbisedojnë me DKA-në.