Arbëri

Lipjani ndan 120 bursa për studentë

Komuna e Lipjanit i ka ndarë 120 bursa me nga 500 euro për studentët e dalluar. Në mesin e listave të studentëve të dalluar, përfitues të bursave janë edhe studentët pjesë e asistencës sociale, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës. Ndërkohë, rregullorja për bursa të studentëve pritet të hyjë në fazën e plotësim-ndryshimit gjatë muajve të ardhshëm dhe të nisin procedurat për pjesën e dytë të bursave për studentët.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se në Lipjan ka shumë studentë të dalluar dhe ndoshta të gjithë e meritojnë të jenë përfitues të bursës, por aktualisht këto janë mundësitë komunale, derisa po punohet që edhe në të ardhmen të jepet edhe pjesa tjetër e bursave.

“Së pari i gjithë procesi ka qenë shumë transparent dhe e gjithë rregullorja dhe të gjitha pikët e studentëve janë publikuar në faqe. Por unë mendoj se kjo rregullore për studentë do të futet në rishikim në të ardhmen sepse kjo rregullore na ka sjellë në një situatë pasi që ndoshta 500 studentë e meritojnë të marrin bursë, por është e pamundur”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, janë miratuar 40 ankesa pasi që komuna kishte mundësi financiare. Po ashtu Ahmeti ka sqaruar se edhe Komisioni ishte në nivelin e duhur në përzgjedhjen e studentëve për bursa.

“Është mirë që kanë marrë bursa 120 studentë sepse e meritojnë atë. Ndërkaq e mira tjetër është që ne do të angazhohemi që sivjet ta shpallim edhe pjesën tjetër të bursave për këtë vit dhe mendoj se në këtë linjë buxhetore kemi mjete, por paraprakisht drejtori do të merrej me plotësim-ndryshimin e rregullores”, ka thënë më tej Ahmeti.

Ai shtoi se sipas rregullores aktuale, shpeshherë studentët më të dobët mund ta tejkalojnë atë që ka notën më të lartë sepse është në asistencë sociale dhe është familjar i dëshmorit apo kategorive tjera të dala nga lufta.

“Nganjëherë edhe studenti me notën 6 merr bursë, por bie ai që e ka notën më të lartë për shkak të numrit të pikëve tjera, prandaj kjo është rregullorja që e ka miratuar Kuvendi Komunal në të kaluarën, por ne duhet ta rishqyrtojmë dhe të shikojmë se çfarë mund të bëjmë diçka më mirë për të gjithë studentët”, shtoi i pari i Lipjanit.