Arbëri

Iu morën fëmijët, Pacolli thotë se nuk po i lejohet që t’i vizitojë ata në strehimore

Për më shumë se tri javë po zvarritet nxjerrja e një vendimi në Gjykatën e Lipjanit për rastin e familjes Pacolli nga Janjeva e Lipjanit, së cilës Qendra për Punë Sociale ia ka marrë fëmijët. Kryefamiljari kërkon që Gjykata të nxjerrë sa më parë një vendim për rastin, teksa ka thënë se që prej 14 janarit ende nuk i është mundësuar që t’i vizitojë fëmijët

Për tash e tri javë, Vllaznim Pacolli nga Janjeva e Lipjanit është në kërkim të drejtësisë dhe të kthimit të katër fëmijëve, të cilët ia kishte marrë Qendra për Punë Sociale.

Kjo qendër në Komunën e Lipjanit ia ka marrë fëmijët kësaj familjeje, me justifikimin e gjendjes shëndetësore të nënës së tyre.

Deri më tani ky institucion nuk ka dhënë hollësi rreth asaj se ku e ka bazuar vendimin për t’ia marrë fëmijët Pacollit, i cili zotohet se mund të kujdeset për ta.

Ai ka thënë për KOHËN se që nga ajo kohë, QPS-ja nuk ia ka mundësuar as që t’i vizitojë fëmijët, të cilët gjenden në një strehimore në Prishtinë.

“M’i kanë marrë fëmijët, as nuk kanë pasur leje prej gjykatës, veç m’i kanë kapur. Kisha pasë qejf ta di a e ka çuar lëndën në gjykatë, sepse Qendra për Punë Sociale m’i ka marrë fëmijët”, ka thënë Vllaznim Pacolli.

Ndërkaq, Gjykata në Lipjan ende nuk ka marrë ndonjë vendim përfundimtar lidhur me rastin. Ky institucion, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN, ka sqaruar se gjyqtarja e rastit lëndën e ka pranuar më 14 janar.

“Lidhur me këtë lëndë, seanca është caktuar që të mbahet në muajin shkurt 2022. Pra, ende nuk është marrë vendim sa i përket këtij rasti”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Lipjanit.

Njohësit e ligjeve kanë thënë se Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, më saktësisht neni 27 për ndarjen e fëmijëve nga familja, specifikon qartë sesi duhet të veprojnë dhe cilat procedura ligjore duhen t’i ndjekin qendrat për punë sociale.

“Bazuar në Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, organi i kujdestarisë nuk mund t’ua marrë fëmijët prindërve pa pëlqimin e prindërve apo pa vendim të gjykatës kompetente. Eventualisht, në rast se paraqet rrezik për shëndetin e fëmijëve, por në afat prej 72 orësh, duhet ta paraqesë rastin në gjykatën kompetente”, ka theksuar Valdet Zeqiri, avokat në Lipjan.

As Qendra për Punë Sociale në Lipjan dhe as Komuna nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS për t’i zbardhur hollësitë lidhur me rastin.

Ndërkaq kryefamiljari Pacolli kërkon që Gjykata ta thërrasë sa më parë një seancë, ashtu që të mund të dëshmojë se është i gatshëm që të kujdeset për fëmijët e tij.

Në përgjigje për pyetjet e adresuara nga KOHA, QPS-ja ka bërë të ditur se si institucion është i obliguar t’i mbajë konfidenciale rastet e trajtuara, ngase në të kundërtën bëhet përgjegjës për shkelje flagrante profesionale dhe i nënshtrohet ndjekjes penale. Kjo qendër ka njoftuar se është e hapur për palët e pakënaqura dhe se çdo person që beson se është diskriminuar në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme apo se për arsye të tjera i janë mohuar shërbimet adekuate mund të paraqitet në QPS.

“Qendra për Punë Sociale në raste të tilla vepron në interesin më të mirë të fëmijëve dhe konform kompetencës ligjore”, thuhet në përgjigjen e QPS-së.