Ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar lidhur me arrestimin e katër zyrtarëve të kësaj komune të mërkurën, lidhur me një tender furnizimi për shkolla në Kamenicë, ku të dyshuar ishin komisioni vlerësues i komunës dhe pronari i një kompanie.
Ata janë arrestuar nën dyshimin se kanë mashtruar me një procedurë tenderuese për një tender me vlerë prej mbi 35 mijë euro.
Kastrati në reagimin e tij ka sqaruar se stafi i komunës, të cilët sot janë arrestuar, kanë rënë viktimë e mashtrimit nga ana e një ndërmarrësi i cili kishte premtuar dorëzimin e mallit por që nuk e kishte bërë kurrë.
“Angazhimi në funksion të interesit publik është mbiemri i qeverisjes së kaluar në Kamenicë. Kjo gjë është dëshmuar në secilin hap, në secilin proces. Njësoj, edhe motivet e projektit të furnizimit me dollapë për nxënësit e Komunës së Kamenicës të tilla ishin. Me qëllimin e vetëm shfrytëzimin e financave për avancimin e kushteve të nxënësve të Kamenicës, stafi i komunës ra viktimë e mashtrimit nga ana e një ndërmarrësi i cili kishte premtuar dorëzimin, por nuk e kishte bërë duke u thirrur në çrregullimet e tregut të furnizimeve si pasojë e pandemisë”, ka shkruar Kastrati në Facebook.
Sipas tij, zyrtarët e Komunës së Kamenicës të arrestuar sot kanë dorëzuar kallëzimin penal disa muaj më parë për këtë rast, derisa ka akuzuar Vetëvendosjen për veprim politik me ngritjen e kallëzimit penal ndaj tyre.
“Përpjekja për të siguruar mallin ka qenë e vazhdueshme dhe e evidentuar. Ky është një gabim procedural nga zyrtarët e arrestuar por i cili u bë me qëllimin e vetëm — të mirën publike. Ata vet e kanë denoncuar rastin. Unë u kam besuar plotësisht dhe vazhdoj t’u besoj. Një vepër penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare kryhet vetëm me dashje të përfitimit a pasurimit personal. Në rastin konkret, dashja e vetme e zyrtarëve të komunës ishte që mjetet të mos përfundojnë si suficit, por të shfrytëzohen për shkollat e Kamenicës. Arrestimi i tyre në ditën e kallëzimit penal të bërë nga qeverisja e Vetëvendosjes, pavarësisht se një kallëzim penal për këtë mashtrim ishte bërë muaj më parë nga vet zyrtarët, është qartësisht veprim si pasojë e ndikimit politik. Shpifjet dhe manipulimet e Kadri Rahimajt janë të papranueshme dhe dashakëqija të cilat eksploatojnë një fatkeqësi për përfitime politike. Qeverisjen e dobët të Vetëvendosjes nuk e kompenson përndjekja, damkosja dhe marrja e meritave për një rast që qëllimin e vetëm e ka pasur të mirën publike”, thuhet më tej në reagimin e tij.
Ai ka shtuar se beson në pafajsinë e tre kolegëve të tij të arrestuar derisa i ka bërë thirrje gjykatës ta trajtoj këtë rast drejt dhe të mos ndikohet nga politika.
{gallery}