Arbëri

Familjës Pacolli i ndalet asistenca sociale, ankohet se po i bëhet qëllimshëm

Familja e Vllaznim Pacollit nga fshati Janjevë i Lipjanit ankohet se Qendra për Punë Sociale ia ndali asistencën, pasi javë më parë ky institucion ia mori katër fëmijët shkaku i gjendjes psikike të nënës së tyre. Pacolli thotë se sociali iu ndal në shenjë hakmarrjeje, pas publikimit të raportit mbi gjendjen e familjes në KOHA

Disa ditë pasi Qendra për Punë Sociale në Lipjan ia mori katër fëmijë familjes Pacolli nga Janjeva, shkaku i gjendjes psikike të nënës së tyre, shteti ia ka ndalur edhe ndihmën sociale.

Vllaznim Pacolli ka bërë të ditur se për këtë ka paraqitur ankesë në Qendrën për Punë Sociale. Mirëpo, sipas tij, njëra nga zyrtaret aty i ka shpjeguar që paratë e socialit nuk i takojnë më.

“Shkova dje me marrë socialin, nuk ma jepen. Ta kemi ndalë më thanë se fëmijëve kemi me ja dërgu atje. Fola edhe në telefon me zyrtarët e socialit më thanë se nuk keni nevojë me fol në telefon se t’i lajmërojmë Policinë. Krejt Qendra për Punë Sociale mi ka bërë këto punë”, ka thënë Lulzim Pacolli.

KOHA kishte raportuar javën e shkuar mbi gjendjen e familjes.

E Pacolli thotë se është kërcënuar nga zyrtarët e QPS-së, pas publikimit të rastit të tij nga televizioni.

Ai tani pretendon se Qendra për Punë Sociale në Lipjan ia ka ndalur ndihmën në shenjë të hakmarrjes.

“Para kamerës pse ke dal me fol për neve. Unë kam fol për fëmijët e mi. Krejt qendra për punë sociale mi ka bërë këto sene, na ka lënë qe 3 javë nëpër kodra duke ikë. Djali i madh ka marrë tremb, po tutet me nejt në shtëpi. Një veturë që kalon këndej djali po zgjohet natën dhe më thotë qu se erdhën Policia dhe Sociali, në ora 3 të natës po qohet”, ka shtuar ai.

Nëpërmjet një përgjigje me shkrim, drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, Makfirete Shamolli, ka sqaruar se familjeve të tilla, që janë me kushte të rënda ekonomike, nuk u ndalohet asistenca sociale.

“Sipas Ligjit ndihma sociale jepet për familje. Në kuadër të familjes caktohet bartësi i lëndës, në rast se shërbimi i vlerëson rrethanën e ndryshimit të bartësit një gjë të tillë e administron, pasi që ndryshimi lejohet me ligj. Çfarë është e rëndësishme, familja është me asistencë sociale e cila familje mund t’i tërhjek mjetet në çdo kohë në emër të bartësit aktual të lëndës. Ndryshimi i bartësit për asistencë te kjo familje është proceduar një muaj më parë, para se të ekzekutohen pagesat e muajit janar, pra në këtë rast në shkurt të vitit 2022. Në raste të tilla, familjet të cilat janë pjesë e ndryshmit, normalisht që për çdo paqartësi duhet ta kontaktojnë menaxherin e lëndës në kuadër të shërbimit të asistencës sociale, përndryshe familjeve që kanë gjendje të rëndë ekonomike asnjëherë nuk ju ndërpritet asistenca sociale”, ka thënë Makfitete Shamolli, drejtoreshë e QPS-së në Lipjan.

KOHA kishte raportuar se kjo nuk është hera e parë që kësaj familjeje i merren fëmijët.