Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit të vdekjes së 56-vjeçarit M.G. në Lipjan, për të cilin u ngritën dyshimet se s’i janë ofruar shërbimet mjekësore në emergjencë.
KOHA të shtunën publikoi një video në të cilën dëgjohet një mjek teksa u thoshte pacientëve se nuk mund t’u ofrohet shërbimi i EKG-së. Sipas dëshmitarëve, në mungesë të pajisjes 56-vjeçari nga fshati Dobrajë e Lipjanit nuk ishte trajtuar.
Pas raportimeve dhe publikimit të videos, mjeku Faruk Gashi u suspendua nga puna, ndërsa tash Policia ka njoftuar se po merren veprimet e duhura hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.
“Sot kemi pranuar informatën, për një rast të vdekjes së dyshimtë të ndodhur në QKUK në Prishtinë. Bëhet fjalë për personin: M.G, mashkull, 56 vjeç nga rrethina e Lipjanit. Me të marrë informatën policia ka filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit. Me gjithë dyshimet e ngritura, policia me kujdes të shtuar po heton rastin dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore në koordinim me prokurorin e shtetit që do t'i kontribuonin hetimit të ngjarjes, përderisa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.