Arbëri

Të përjashtuarit e LDK-së në Malishevë kontestojnë legjitimitetin e kryesisë së degës

Descriptive Text

Dega e LDK-së në Malishevë, 32 vjet pas themelimit po përballet me përplasje të brendshme ku identifikohen dy rryma.

E gjithë përballja u shpërfaqë gjatë muajit të kaluar kur gjysma e anëtarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal (3 nga 6) lidhën koalicion pa miratimin e partisë me Nismën dhe kryesues i Komunës së Malishevës me mbështetjen e Nismës Socialdemokrate u zgjodh Argjend Thaçi i LDK-së, përkundër qëndrimit të kryesisë së degës dhe kryetarit të saj që të mos shkohet në koalicion me Nismën.

Kreu lokal i LDK-së, Bajrush Hoti dhe kryesia i shkarkuan Thaçin dhe dy anëtarët e Kuvendit nga LDK, Hamit Limajn dhe Driton Kastratin nga të gjitha funksionet në LDK, ndërkohë që këta të tre thanë se nuk heqin dorë nga përfaqësimi i LDK-së.

Fatmir Ademaj nga LDK, i zgjedhur drejtor i Administratës së Përgjithshme në Komunën e Malishevës, në saje të atij koalicioni, përmes një adresimi në rrjetet sociale ka paralajmëruar reforma në degën e LDK-së në Malishevë. Ai e ka quajtur "jolegjitime" kryesinë aktuale të degës së LDK-së dhe përjashtimet e saj, duke thënë se kjo kryesi "në ndërdijen e vetë e ka edhe përjashtimin e votuesit të LDK-së".

Ademaj ka thënë se sipas nenit 13 të Statutit të LDK-së, përjashtimi i një anëtari është kompetencë ekskluzive e kryesisë qendrore të LDK-së në rastet kur janë vërtetuar shkelje të rënda disiplinore. Ai ka paralajmëruar se kryesia aktuale e degës së LDK-së po planifikon shkarkime të reja dhe ka tërhequr vërejtjen se të shkarkuarit do të punojnë për reformimin e LDK-së në Malishevës.

Ademaj ka thënë për KOHËN se kryesia aktuale nuk ka legjitimitet, pasi që sipas tij nga kuvendi zgjedhor i vitit 2019 shumica e anëtarëve të zgjedhur nuk janë më anëtar kryesie.

"Dhjetë anëtarë kryesie nga kuvendi i fundit nuk janë më pjesë e kryesisë, dikush ka dhënë dorëheqje, dikush është përjashtuar e dikush e ka pushuar aktivitetin. Rrjedhimisht vërehet se kryesisë i ka humbur legjitimiteti", është shprehur Ademaj.

Ai ka deklaruar se Kuvendi Zgjedhor dhe zgjedhjet e brendshme në degë do të ishin zgjidhja më e mirë për degën dhe ka theksuar se pret nga kryesia qendrore shpalljen e zgjedhjeve të reja brenda degës së LDK-së për të legjitimuar kryesinë. Ademaj ka thënë se ai dhe bashkëmendimtarët kanë kërkuar nga niveli qendror zgjedhje të brendshme në degën e LDK-së dhe sipas tij, kjo pritet të ndodhë së shpejti.

I pyetur se kush do të mund të ishte kundërkandidati i Bajrush Hotit, kryetarit aktual të degës së LDK-së, Fatmir Ademaj nuk ka dhënë ndonjë emër, por ka theksuar se "procesi zgjedhor nga nëndegët qartëson se kush mund të jetë kryetari i ri, lideri lokal". Sipas tij, shumica e kryetarëve të nëndegëve të LDK-së në Malishevë kanë kërkuar zgjedhje në këtë komunë.

Edhe Argjend Thaçi, i zgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal të Malishevës pa marrëveshje me kryesinë e degës, e pastaj i përjashtuar nga kjo kryesi, ka thënë se zgjedhjet e brendshme të LDK-së janë zgjidhja më e mirë. Thaçi ka thënë se ishte qëndrim i kryesisë qendrore që pas zgjedhjeve lokale të shkohet në zgjedhje të brendshme partiake nëpër degët e LDK-së ku nuk ka pasur rezultate të mira në zgjedhjet lokale, siç është Malisheva.

"Ne vazhdojmë të punojmë për LDK-në, kryesia e degës nuk ka të drejtë përjashtimesh por vetëm niveli qendror dhe atëherë kur konstaton dëmtim të rëndë të LDK-së, e ne nuk e kemi dëmtuar LDK-në, përkundrazi e kemi forcuar, ia kemi dhënë kryesuesin e Kuvendit Komunal partisë sonë, LDK-së", është shprehur Thaçi.

Edhe ai nuk ka përmendur ndonjë emër si kundërkandidat të kryetarit të degës, Hoti, por ka thënë se në zgjedhjet e brendshme mund të identifikohet më së miri kandidati që do të përfaqësonte reformën brenda degës së LDK-së.

Ndërkohë kryetari i degës së LDK-së, Bajrush Hoti, ka thënë se "nuk ia vlen të komentojë për sekserët e Nismës Socialdemokrate, të cilët e dëmtuan LDK-në gjatë procesit zgjedhor, të shitur te Nisma për interesa personale".

"Shitja e tyre u vërtetua me marrjen e shpërblimit, me postet e dhuruara", është shprehur ai.

"Dega e LDK-së dhe unë si kryetar i degës, vazhdojmë rrugëtimin në kryerjen e detyrave me legjitimitet të plotë, e në situata të caktuara ka marrë vendime për të cilat ka njohuri opinioni", ka shtuar Hoti.

Ai ka thënë se qendra e LDK-së e ka formuar një komision për çështje të zgjedhjeve të brendshme në degët e LDK-së, i cili sipas tij do ta sqarojë shumë shpejt çështjen e zgjedhjeve të brendshme.

"Zgjedhjet në procedurë të rregullt janë tash një vit dhe nuk ka hapësirë që dy palë zgjedhje të mbahen brenda vitit", ka potencuar Hoti.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim rreth situatës së degës së LDK-së në Malishevë edhe nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, por ai ka qenë i paqasshëm.