Arbëri

Mërdhijnë nxënësit e Malishevës, orët nga 15 minuta

Descriptive Text

Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Sali Bytyçi” në Shkozë të Malishevës këtë të premte është detyruar të mbajë mësim me orar të reduktuar, për mungesë të lëndës djegëse. Vetëm 15 minuta ka zgjatur një orë mësimi dhe brenda ditës ka qenë e pamundur të bëhet furnizimi shkaku i motit të keq, kanë thënë për KOHËN në Drejtorinë Komunale të Arsimit në këtë komunë.

Kjo nuk është e vetmja shkollë në këtë komunë që ka probleme me furnizim me lëndë djegëse. Janë disa shkolla në situata të ngjashme. Drejtoresha e SHFMU “Ganimete Tërbeshi” në Astrazup, Afërditë Morina, ka thënë se në këtë shkollë ka dru për djegie vetëm edhe për 4 ditë. Kjo shkollë përveç mungesës së sasisë së mjaftueshme të druve, e ka problem që nga futja në objekt të ri, tash e 4 vjet kaldajën joadekuate për ngrohje. Morina ka treguar se ekspertët kanë konstatuar se kaldaja është e vogël dhe radiatorë ka pak në objekt.

“Prej se kemi hyrë në objekt jemi me probleme me kaldajën, objekti nuk ngrohet mjaftueshëm, kemi ankesa edhe nga prindërit dhe presim që ky problem të rregullohet”, ka thënë ajo.

Në DKA-në e Malishevës e pranojnë se ka probleme me mungesë lënde djegëse nëpër disa shkolla.

“Realisht operatori nuk është duke e ndërprerë furnizimin me lëndë djegëse, por ka pasur telashe sivjet në implementimin e kontratës, pasi janë ngritur çmimet e lëndës djegëse dhe ka pasur nga pak telashe për të siguruar sasinë e duhur”, ka thënë zyrtari i kësaj drejtorie, Enver Mazreku. “Ajo që e di unë, deri tani asnjë shkollë nuk e ka ndërprerë mësimin plotësisht për mungesë të lëndës djegëse. Kemi kërkesa nga shkollat për sigurim të druve para se të jenë harxhuar ato, e jo se janë harxhuar tërësisht ato.”

Ai ka shtuar se nga operatori kanë marrë premtime se furnizimi s’do të ndërpritet, teksa ka pranuar edhe problemet “me realizimin e pagesave”, me arsyetimin se buxheti është tkurrur shkaku i pagesës së shujtave e pagave jubilare të mësimdhënësve, që komunës i merren nga përmbaruesit.

Ndërkohë Fadil Vitija nga “Wood Company”, kompanisë përgjegjëse për furnizim me lëndë djegëse të shkollave të Malishevës, ka thënë për KOHËN se 70 për qind të sasisë së paraparë të lëndës djegëse e ka realizuar dhe është zotuar se do ta realizojë kontratën.

“Po kemi nga pak probleme me sigurimin e lëndës djegëse, janë ngritur çmimet shumë në treg, mandej pagesat po na vonohen nganjëherë, por ne do ta realizojmë të plotë kontratën”, është zotuar Vitija, duke pohuar se ngritja e çmimeve të lëndës djegëse në treg ka bërë që kompania e tij të punojë me humbje në këtë projekt.