Arbëri

LB-ja s’pajtohet me vlerësimin e MAPL-së, deponon sërish ankesë

Lëvizja për Bashkim në Obiliq ka deponuar sërish ankesë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) lidhur me listën e pronave komunale për dhënie në shfrytëzim dhe përbërjen e Komitetit për Politikë dhe Financa.

Ky subjekt politik nuk është pajtuar me vlerësimin e ligjshmërisë që kjo Ministri u ka bërë dy prej tri vendimeve të Kuvendit Komunal të Obiliqit.

MAPL-ja i kishte hedhur poshtë tri ankesat e Grupit të këshilltarëve të LB-AAK, por ky subjekt tash nuk e ka ripërsëritur ankesën vetëm për renditjen e emrave për kryesues të KK-së.

Në shkresën që është dorëzuar në MAPL gjatë ditës së premte, LB-ja ka kërkuar rishqyrtim të ligjshmërisë për listën e pronave dhe përbërjen e KPF-së.

“Ne vazhdojmë të mendojmë se ka shkelje ligjore të Ligjit nr. 06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës, gjegjësisht ka shkelje të nenit 5-pika 1.2 dhe neni 13-pika 2 të Ligjit, si dhe nenit 4-pika 1.4 dhe nenit 6-pika 2 e Rregullores (QRK) nr. 09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës. Shkeljet në nenet e sipërcekura konsistojnë në faktin se komuna nuk ka plan zhvillimor-hapësinor të miratuar dhe dokumentit të ofruar për votim i mungon destinimi”, thuhet në shkresën e re të dorëzuar më 21.01.2022 në MAPL.

Lëvizja për Bashkim po ashtu konsideron se ky subjekt politik duhet të përfaqësohet në Komitetin për Politikë dhe Financa.

“Ne kosniderojmë se edhe këtë vendim duhet anuluar, arsyet tona konsistojnë në Ligjin nr.03/L-040, siç ceket më poshtë: Neni 52.1 Komiteti për Politikë dhe Financa kryesohet nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës dhe përbërja e tij duhet të reflektojë përfaqësimin e entiteteve politke në kuvendin e komunës. Kjo mbështetet edhe në Udhëzimin Administrativ (MAPL) nr. 05/2020 për procedurën e themelimit, përbërjen dhe kompetencat e komiteteve të përhershme dhe komiteteve tjera në komunë”, thuhet tutje në shkresën e LB-së. “Duke pas parasysh një përfaqësim gjithpërfshirës ne mendojmë se LB duhet të përfaqësohet me një anëtar në KPF, ashtu siç përfaqësohet LDK që është forcë e barabartë me nga dy anëtarë në Kuvendin Komunal”.

KOHA ka raportuar për pakënaqësinë e Grupit të LB-AAK-së me përgjigjen që kanë marrë nga MAPL lidhur me pronat dhe KPF-në. Këshilltari i AAK-së, Xhelal Kraniqi, kishte paralajmëruar se do t’i shterin të gjitha mundësinë ligjore që këto vendime të Kuvendit të Obiliqit të rishikohen.