Arbëri

Kryetari i Malishevës takon 10 drejtorët, i mbetet edhe një pa emëruar

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, e ka mbledhur sot për herë të parë Bordin e Drejtorëve të Komunës, të cilët i ka emëruar këto ditë.

Janë 8 drejtorë nga përbërja e Nismës Socialdemokrate, dhe 2 nga parti të tjera, që i kanë fituar postet falë bashkëpunimit me partinë në pushtet të 6 anëtarëve të 3 partive që janë pjesë e Kuvendit Komunal të Malishevës.

Në bazë të kësaj marrëveshje Fatmir Ademaj, është zgjedhur drejtor i Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme dhe Fitim Shala drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ndërkaq Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim vazhdon të mbetet pa drejtor të ri.

Në takimin e parë të Bordit të Drejtorëve, i pari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, fillimisht ka uruar nënkryetarin Vesel Krasniqi dhe drejtorët e rinj për marrjen e përgjegjësive të reja në drejtimin e institucioneve komunale, si dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për të qenë bashkëpunues me të gjithë.

Kastrati me anëtarët tjerë të Bordit kanë diskutuar edhe për Planin e Punës për Vitin 2022, me theks të veçantë përmirësimin e shërbimeve të administratës komunale, ngritjen e nivelit të sigurisë nëpër shkolla, menaxhimin e pandemisë dhe ofrimin e shërbimeve tjera shëndetësore.

Kryetari Kastrati ka kërkuar nga drejtorët e Komunës së Malishevës, që të jenë bashkëpunues dhe të përkushtuar në realizimin e planeve të punës.