Kosovë

“Punësimet në arsim”, lirohen nga akuza zyrtarët e Mamushës

 

Xhafer Morina, në cilësinë e drejtorit të Arsimit në Komunën e Mamushës, dhe Rifat Krasniq, në cilësinë e drejtorit të shkollës “Ataturk” në Mamushë, që akuzoheshin për keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me punësimin e disa mësimdhënësve, të premten janë liruar prej akuzës nga Gjykata Themelore në Prizren.

Gjykata Themelore në Prizren të premten ka liruar nga akuza dy zyrtarë nga Mamusha që akuzoheshin si bashkëkryerës të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” lidhur me punësimin e disa mësimdhënësve në vitin 2020. Gjyqtari Xheladin Osmani ka bërë të ditur se pas shqyrtimit të të gjitha provave ka liruar nga akuza zyrtarët Xhafer Morina dhe Rifat Krasniq, marrë parasysh faktin që për kontratat e lidhura ka pasur memorandum në mes të Komunës së Mamushës dhe Ministrisë së Arsimit.

“Duke analizuar të gjitha provat, të cilat u paraqitën gjatë shqyrtimeve të kaluara kjo gjykatë erdhi në përfundim dhe të akuzuarit në fjalë në kuptim të nenit 364, paragraf 1, pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lirohen nga aktakuza”, ka lexuar vendimin gjyqtari Xheladin Osmani.