Opozita në Obiliq po e akuzon pushtetin e kësaj komune se ka miratuar një listë të pronave për dhënie në shfrytëzim duke shpërfilluar procedurat ligjore. Ata thonë se kjo listë nuk përmban destinimin dhe as arsyetimin e interesit publik dhe zhvilimin ekonomik që mund të sjellë dhënia e atyre pronave në shfrytëzim. Sipas tyre, edhe më parë pronat komunale janë shfrytëzuar për interesa personale dhe asnjëherë në të mirë të qytetarëve.
Me shkelje procedurash e pa asnjë plan po konsiderohet se është miratuar lista e rreth 200 pronave komunale për dhënie në shfrytëzim nga Komuna e Obiliqit.
Opozitarët në këtë komunë thonë se kjo listë që është miratuar në seancën e fundit të Kuvendit Komunal nuk përmban as destinimin e dhënies në shfrytëzim të atyre pronave, e as arsyetimin e interesit publik dhe zhvillimin ekonomik.
Shefi i Grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes, Sami Ahmeti, ka thënë se në dy mandatet e fundit pronat komunale janë shfrytëzuar për interesa personale.
“Lista si tërësi është bërë pa pas ndonjë planifikim për zhvillim apo plan urbanistik. Gjithashtu kjo listë nuk përmbante destinimin se për çka do të jepen ato prona. Këto ishin disa nga arsyet që ne kemi votuar kundër e po ashtu edhe duke pas parasysh që në dy mandatet e fundit shumë prona pulike janë dhënë në shfrytëzim dhe asnjë prej tyre nuk e ka arritur qëllimin e punësimit të qytetarëve dhe mirëqenien e tyre”, ka thënë Ahmeti.
Kundër kësaj liste të pronave për dhënie në shfrytëzim ka votuar edhe Grupi i këshilltarëve të AAK-LB.
“Ne më vonë si grup parlamentar këtu në Obiliq e kemi dërgua një kërkesë për të anuluar dhënien e pronës në shfrytëzim, sepse nuk është moti që ka përfundua fushata, kryetari i tanishëm çdoherë ka proklamua se të gjitha projektet që kanë të bëjnë me qytetarin do të dëgjohet edhe zëri i qytetarit”, është shprehur Xhelal Krasniqi, këshilltar i AAK-së në Obiliq.
Krasniqi thotë se banorët e lokaliteteve ku planifikohet që këto prona të jepen në shfrytëzim nuk janë fare të njoftuar me nismën e Komunës së Obiliqit.
Ndërkohë nga Komuna e Obiliqit kanë thënë se është vepruar sipas ligjeve në fuqi dhe se ligjshmërinë e këtyre procedurave e vlerëson MAPL.
“Lidhur me çështjen e adresuar, ju njoftojmë se komuna e Obiliqit vepron sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi që përcaktojnë zhvillimin e procedurave për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale. Ligjshmërinë e këtyre procedurave e shqyrton dhe vlerëson Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal. Komuna e Obiliqit është institucion i vënë në shërbim të qytetarëve të Obiliqit, njëkohësisht është gjithmonë e hapur për këdo që është i interesuar të njoftojë për hapat që ndjeken për zhvillimin e këtyre procedurave, sipas ligjeve që përcaktojnë qasjen në dokumentet zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Komunës.
Opozita edhe më herët ka pasur kritika për dhënien e pronave komunale në shfrytëzim në këtë komunë, pasi njërën nga to e ka marrë në shfrytëzim edhe vetë kreu i Obiliqit, Xhafer Gashi.