Arbëri

Hyseni: Ndryshimin në Gjilan mund ta bëjmë edhe me PDK-në

Descriptive Text

Kryetari i Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Hyseni, ka thënë se ndryshimi në qytetin që po udhëheq mund të bëhet edhe me Partinë Demokratike të Kosovës, pasi ditë më parë arritën marrëveshje për të bashkëqeverisur.

Hyseni shtoi se meqë VV-ja ka vetëm 10 asamblistë, iu ka imponuar që të bëjë koalicion për të pasur shumicën në Asamble. 

“Nuk e di nëse ka qenë e pritshme. E paralajmëruar jo, por disi e parashikueshme ka qenë në Gjilan, duke i ditur numrat. Lëvizja nuk ka dalë mirë për kah numri i komunave që kemi fituar, ndërsa Gjilani është e vetmja komunë e madhe që udhëheqim, duke shtuar se udhëhiqet nga një aktivist i vjetër i Vetëvendosjes. Duhen 18 asamblistë për të pas shumicën në Asamble. Ne kemi vetëm 10 asamblistë. Kjo na ka imponuar që ose të shkojmë vetë, ose të bëjmë koalicion. Për dy mandate kemi pasur kryetar të LDK-së dhe automatikisht nuk do të kishte logjikë të kishim koalicion me ta. Qytetarët kanë votuar për ndryshim dhe ai nuk do të ishte ndryshim. Nuk po dua me amnistu PDK-në nga gabimet që i ka bërë të kaluarën, por ndryshimin edhe me PDK-në mund ta bëjmë. Duke qenë se janë [PDK] qe dy mandate në opozitë, duhet të punojnë për ta kthyer partinë pasi është në gjendje shumë të keqe në Gjilan. Janë të detyruar që të punojnë mirë. Ne kemi marrëveshje edhe me partinë turke KTDP, që ka nënkryetarin e dytë në Asamble, AKR-në e cila do të udhëheqë me Zyrën për Luginën e Preshevës, ndërsa jemi munduar të bëjmë marrëveshje me AAK-në, por ata kanë probleme të brendshme atje. Asamblistja e AAK-së që votoi kundër urdhrave të partisë nuk ka pasur asnjë kërkesë specifike ndaj meje. Fundja është interes i qytetarëve për të ndihmuar në realizimin e projektit në të mirë të qytetarëve”, ka thënë Hyseni në “JavaSontemeRronin” në KTV.

Hyseni konfirmoi se PDK-ja në Gjilan do të udhëheqë me Drejtorinë e Financave, atë të Shëndetësisë, të Bujqësisë dhe të Zhvillimit Ekonomik.

Si një nga punët e para që do të bëjë këtë vit, kryetari i Gjilani u shpreh se rregullimi i varrezave është një prioritet për të, ashtu si edhe çështja e mungesës së ujit të pijes në 15 fshatra.