Lëvizja Vetëvendosje në Obiliq ka thënë se shtëpizat prej druri që janë vendosur në sheshin “Dëshmorët e kombit” nuk po funksionalizohen për shkak të interesave biznesore të zyrtarëve komunalë. Sipas tyre, këto shtëpiza janë vendosur me qëllim afër një lokali që ka lidhje me kryetarin e Obiliqit. Por këtë e kanë mohuar zyrtarët komunalë dhe pronari i lokalit
Kopje e dështuar po quhet nga Lëvizja Vetëvendosje në Obiliq projekti “Verë në dimër” i shtëpizave prej druri. Përveç kësaj, zyrtarët e kësaj partie kanë thënë se shtëpizat prej druri që janë vendosur në sheshin “Dëshmorët e kombit” nuk po funksionalizohen për shkak të interesave biznesore që kanë zyrtarët komunalë. Shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së, Sami Ahmeti, thotë se ato ishin vendosur për t’iu dhënë një lokali që, sipas tij, është i afërt me kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashi.
“Edhe këto shtëpizat e drurit, si shumë projekte të tjera, kanë mbetur peng i interesave personale të bizneseve të përfaqësuesve komunalë. I tillë është edhe ky investim që ishte kopje e disa qyteteve të tjera, projekti me emrin ‘Verë në dimër’, që parashihej t’u jepej në shfrytëzim bizneseve të gastronomisë apo qytetarëve që e zotëronin këtë profesion”, ka theksuar Sami Ahmeti. “Ato fillimisht u vendosën afër kafenesë ‘Nostra’, e cila është pronë e familjarit të njërit aksionar të biznesit të kryetarit të Komunës. Vendosja e tyre aty, sipas informatave që unë posedoj, ishte që kjo kafene t’i shfrytëzonte ato, por pasi që kishte të interesuar të tjerë, pra me oferta më të mira, këto shtëpiza nuk iu dhanë askujt. Si rezultat ky projekt-kopje rezultoi i dështuar”.
Ndërkohë, zyrtarët komunalë dhe pronari i lokalit e kanë mohuar një gjë të tillë. Në përgjigjen me shkrim të Zyrës për informim të Komunës së Obiliqit thuhet se shtëpizat janë në kuadër të rregullimit të sheshit gjatë fundvitit.
“Si institucion komunal garantojmë se nuk qëndron një akuzë e tillë dhe është tërësisht e pabazë. Komuna e Obiliqit është institucion i vendosur në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që operojnë në komunën tonë pa dallim”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim.
Edhe pronari i lokalit “Nostra”, Valon Jusufi, e ka mohuar se kryetari Xhafer Gashi është pronar apo ka aksione në këtë kafene.
“Unë jam pronar i kafiterisë ‘Nostra’. Xhafer Gashi s’ka të bëjë aty absolutisht kurrgjë hiç, përpos që është kryetar komune, edhe pikë. Vetëvendosje ka mund të shohë se biznesi është i regjistruar në komunë, edhe në informatat e biznesit shkruan kush është pronar, kush është menaxher, kush janë punëtorët. A është i uzurpuar, edhe aty ata mund t’i shohin lejet, për gjithçka është aplikuar paraprakisht dhe pasi janë marrë lejet ka vazhdua ndërtimi. Lokali është privat i një pronari të Obiliqit, të cilin unë ia kam marrë me qira”, ka thënë Valon Jusufi.
Ai thotë se nuk ka qenë i interesuar t’i marrë nën menaxhim këto shtëpiza.
“Absolutisht aty nuk ka asgjë të vërtetë. Ato shtëpiza shyqyr nja dy copa i kanë hjek, i kanë çu te ky sheshi tjetër e me mujt ata me i hjek edhe qato dyja që ma kanë zanë krejt dritën e lokalit kush s’e kish pasë. Se për që janë kanë të mijat, unë po them me mujt me i hjek edhe ato tjerat”.
Pronari i lokalit “Nostra” thotë se nuk ka pasur shpallje ende për të aplikuar dikush që t’i marrë në shfrytëzim ato shtëpiza.
“Nuk ka ardhë aty mundësia ende që me apliku dikush për t’i marrë në menaxhim ato shtëpiza. Unë e kam lokalin aty dhe nuk mundem me pagua edhe tjetër, se aty duhet së pari dy punëtorë, e në Obiliq nuk ka aq punë që me pagua ekstra. Për momentin absolutisht jo, e kam lokalin, çka po më duhet ato?”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, shefi i GK të VV-së ka thënë se ky lokal e ka uzurpuar pronën publike dhe i ka prerë dy drunj shumëvjeçarë për ta vendosur tarracën.
“Kafiteria ‘Nostra’ dihet botërisht se ka lidhje me kryetarin e Komunës, madje disa nga qytetarët thonë që është pronë e tij e cila ka uzurpuar, me terasën e saj një pjesë të madhe të sheshit ‘Dëshmorët e Kombit’. Po ashtu janë prerë 2 drunj dekorativë dhjetëravjeçarë për vendosjen e kësaj terase. Sido që të jetë ky është sistemi i funksionimit të kësaj qeverisjeje që shfrytëzoi çdo kapacitet institucional, madje duke keqpërdorur ato për të mbajtur pushtetin e më shumë për të mbuluar të bëmat e tyre gjatë dy mandateve. Ne do të denoncojmë këtë, e raste tjetra te të gjithë mekanizmat institucionalë që janë të thirrur për rend e ligj”, është shprehur Sami Ahmeti.
Ndërsa Valon Jusufi ka thënë se paguan qira për pronën që e shfrytëzon.
“Është e vërtetë që është para lokalit, edhe me Ligj të Republikës së Kosovës unë kam të drejtë 30 metra për çdo lokal. Unë i kam 3 lokale me qira që më bie 90 metra me i pasë qira. E unë nuk i shfrytëzoj 90 metra, po veç 55 metra. Po, normal, gjatë regjistrimit të marrjes së lejes është dashtë me pagu edhe qysh i kanë ata pagesat vjetore”, ka thënë ai.
E zyrtarët komunalë kanë folur për drunjtë e prerë që, sipas tyre, kanë qenë të tharë dhe do të zëvendësohen me drunj të rinj.
“Sa i përket çështjes së dy drunjve (pemët), ata drunj kanë qenë të tharë dhe do të zëvendësohen në sezonin e përshtatshëm, pasi që Komuna e Obiliqit respektivisht Drejtoria e Mjedisit, në vazhdimësi bën mbjelljen dhe zëvendësimet e nevojshme të drunjve në gjithë territorin e komunës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim të Komunës së Obiliqit.