Kosovë

Mbi 200 familje në Lipjan prej javësh përballen me ndërprerje të shpeshta të rrymës

 

Tash e disa javë banorët e një lagjeje në Lipjan po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Kjo gjendje po u shkakton vështirësi të mëdha ngase rrymën gjatë dimrit e përdorin edhe për ngrohje.

Mbi 200 familje në lagjen “Jeta e Re” në Lipjan prej javësh po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, si pasojë e defekteve dhe mungesës së një trafoje me kapacitete të mjaftueshme për mbulimin e nevojave të tyre.

Banorët thonë se mungesa e rrymës po ua vështirëson jetesën pasi që gjatë dimrit ata ngrohen me energji elektrike. Ata tashmë janë ankuar në KEDS-s rreth problemeve, porse deri më tash thonë se përgjigje nuk kanë marrë.