Arbëri

MASHT-it i kërkohet ta përfundojë më herët gjysmëvjetorin shkaku i gripit

Vendim jo i duhur po konsiderohet shtyrja e procesit mësimor deri më 30 dhjetor, ashtu siç ka vendosur Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Drejtori i gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, Liridon Mulliqi, ka thënë se kjo nuk do të ishte kontestuar, në rast se nuk do të kishin gjendje të rëndë me grip në shkolla.

Sipas tij, ka 2-3 javë që për shkak të gripit po përballen me mungesa të shumta të nxënësve dhe mësimdhënësve.

“Po vërehet se po ka mungesa të konsiderueshme të nxënësve nëpër klasë. Ka nxënës që vinë i mbajnë 1-2 orë dhe kur shohim se janë në një gjendje jo të mirë shëndetësore, na duhet t’i lirojmë prej procesit mësimor. Në disa raste na është dashtë me e thirr edhe ambulancën dhe ndihmën prej Qendrës së Mjekësisë Familjare këtu në Podujevë”, ka thënë drejtori Mulliqi.

Për shkak se tash ka filluar periudha e vlerësimit, Mulliqi thotë se ndodh që edhe mësimdhënësit, edhe nxënësit të vijnë në shkollë, edhe pse kanë simptoma të gripit. Kështu, sipas tij, ata po e përhapin virusin edhe tek të tjerët. Gjendja e njëjtë ai thotë se është edhe në shkolla të tjera gjithandej vendit.

“Dhe bazuar në këto argumente mendoj që do të ishte mirë që Ministria e Arsimit në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë ta shqyrtojë mundësinë edhe të ndërpresë pak më herët këtë periudhë mësimore, gjithnjë me qëllimin që kompensimi me u bë në periudhën e fundit të vitit shkollor, apo pas periudhës së dytë, kur edhe moti do të jetë më i përshtatshëm dhe do të jenë kushtet më ideale për realizimin e procesit mësimor”, ka shtuar ai.

KOHA ka dërguar pyetje edhe në adresë të MASHT-it, por gjatë ditës së martë nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë flasin për rritje të numrit të qytetarëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të gripit.

Drejtori, Ymer Llugaliu, ka thënë se vetëm në QKMF brenda një ndërrimi i kanë më shumë se 1 mijë e 600 pacientë, kurse në dy ndërrimet ky numër shkon rreth 3 mijë veta.

“Për atë po kemi edhe vështirësi me i trajtuar, po duhet të presin nga pak qytetarët. Përndryshe kemi marrë mjekë shtesë nga terreni për t’i përforcuar këto shërbime. Kemi kërkesa më të mëdha edhe në laborator, i kemi diku 510 qytetarë që kanë bërë brenda 5-6 dite analiza laboratorike në Qendër”, është shprehur Llugaliu.

Në anën tjetër, drejtori i gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” thotë se nuk janë kundër kompensimit të ditëve të humbura, por kjo, sipas tij, duhet të bëhet në një periudhë kur mund të arrihen edhe rezultate dhe jo vetëm, si ka theksuar ai, sa për t’i plotësuar si statistikë.